Kompania Johnson & Johnson publikoi disa të dhëna që tregojnë se dhënia e një doze përforcuese të vaksinës së saj kundër koronavirusit siguron një përgjigje të fortë imunitare pas disa muajsh nga marrja e dozës së parë. Në një deklaratë të martës, J&J tha se kishte kryer dy studime të hershme që përfshinin persona që kishin marrë vaksinën e saj. Gjetjet treguan se një dozë e dytë prodhonte një përgjigje të shtuar imunitare tek personat nga mosha 18 deri në 55 vjeç. Rezultatet e studimeve nuk janë rishikuar ende nga ekspertë të tjerë të fushës.
Kompania njoftoi se ndodhet në bisedime me Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, Agjencinë Evropiane të Barnave e të tjera agjenci në lidhje me përdorimin e dozave përforcuese të vaksinës së saj. Vaksina e J & J është miratuar për përdorim në SHBA, në të gjithë Evropën dhe sipas planeve të paktën 200 milionë doza të saj do të shpërndahen falë programit COVAX të mbështetur nga OKB-ja që synon shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra. Por kompania është po përballet me probleme në prodhim. Ndërkohë ajo u detyrua të hedhë me miliona doza me probleme të prodhuara në një fabrikë në Baltimorë.
Vaksina J&J është konsideruar kritike për t’i dhënë fund pandemisë nga zyrtarë të shumtë të shëndetësisë pasi ajo jepet me një doze të vetme. Droja e lidhur me variantin delta të koronavirusit që përhapet më lehtë ka shtyrë qeveri të ndryshme të marrin në konsideratë përdorimin e injeksioneve përforcuese për shumë vaksina të miratuara.Javën e kaluar, ekspertët e FDA-së rekomanduan që personat mbi 65 vjeç të marrin një dozë të tretë të vaksinës së COVID-19s të prodhuar nga Pfizer-BioNTech ndërsa Britania më parë kishte autorizuar injeksione përforcuese për personat mbi 50 vjeç. Vende të tjera përfshirë Izraelin, Francën dhe Gjermaninë gjithashtu kanë nisur të ofrojnë doza të treta të vaksinave për disa grupe. Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve të pasura të ndalojnë dhënien e dozave përforcuese deri të paktën në fund të vitit, duke thënë se vaksinat duhet të dërgohen menjëherë në Afrikë, ku më pak se 4% e popullsisë është imunizuar plotësisht. /VOA