Humoristi dhe anëtari i Këshillit Kombëtar në PD, Julian Deda, publikoi online një letër ‘dorëheqje’ të Lulzim Bashës. Në të listohen arsyet se përse Basha po e jep dorëheqjen.
“Kaq duhet të thotë. Shkurt, shqip dhe sinqerisht, të bëhet burrë të paktën një herë të vetme në karrierën e tij politike. Si e vetmja mënyrë për t’u larguar pa shumë turp nga kjo parti,” shkruan Deda.
Postimi i plotë i humoristit Deda:
Zonja dhe zotërinj!
Të nderuar demokratë dhe demokrate, të nderuar qytetarë shqiptarë. Jam sot përpara jush, me përgjegjësinë e plotë që më jep pozita ime politike dhe shoqërore, për t’ju komunikuar se kjo është dalja ime e fundit në cilësinë e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Duke parë me vëmendje reagimet tuaja, zhvillimet e fundit në PD, të cilat kanë qenë më dramatiket që nga koha e themelimit të saj, kam vendosur të marr të gjitha përgjegjësitë dhe të jap dorëheqjen nga posti i kryetarit të PDSH.
Nëpërmjet kësaj deklarate, dua t’i kërkoj ndjesë të thellë çdo demokrati, që është lënduar, fyer apo është ndjerë i papërfaqësuar nga veprimet apo mosveprimet e mia. Më falni për të gjitha vendimet e gabuara që kam marrë në kurriz të PD, duke i shkaktuar asaj dëme, të cilat uroj që cilido të vijë pas meje, të ketë mundësi t’i riparojë në kohë.
Po, e pranoj, PD nën drejtimin tim duhet të bënte më shumë për të fituar besimin e demokratëve në radhë të parë, por gjithashtu për t’i ngjallur shpresën shqiptarëve në përgjithësi. Për fat të keq, unë nuk ia dola dot.
Ju kërkoj ndjesë të dashur demokratë, jo vetëm për faktin që nuk arrita t’ju sjell në pushtet, por sidomos për një seri vendimesh të marra nga unë personalisht, të cilat po e çojnë këtë parti drejt përçarjes.
Për fat të keq, ky ishte rrugëtimi im politik. Faleminderit të gjithë atyre që më mbështeten gjatë këtyre viteve. I jam mirënjohës secilit, edhe atyre pak që më mbështetën personalisht, edhe atyre shumë të tjerëve që mbështetën PD-në, mbështetje nga e cila përfitova edhe unë. Ndjej keqardhje që nuk arrita ta shfrytëzoj për mirë këtë fakt.
Edhe një herë të dashur demokratë, duke ju falenderuar për kontributin tuaj, ju kërkoj përulësisht ndjesë për gabimet e mia. Me respekt LB.