Genoa ka një pronar të ri. Përmes një njoftimi për shtyp, të botuar në faqen zyrtare të internetit, klubi kuqeblu ka zyrtarizuar kalimin te fondi i investimeve amerikane 777 Partners. Aventura e Enrico Preziosi në krye të klubit xhenovez përfundon pas 18 vitesh.
“777 Partners, një kompani investimi alternative me bazë në Miami, ka fituar pronësinë e Genoa Cricket dhe Football Club, klubi më i vjetër i Italisë. Genoa C.F.C., e cila luan në Serie A, u themelua më 1893 dhe ka fituar ligën italiane 9 herë. Grupi i ri i pronarëve, i cili do të marrë 99.9% të kapitalit aksionar të Genoa, do të sjellë kapital të ri në klub dhe do të marrë përsipër disa detyrime.
777 Partners do të përdorin ekspertizën e vet në industritë e sportit, medias dhe argëtimit për të ndihmuar në komercializimin e mëtejshëm të operacioneve të klubit. Pronari i mëparshëm, Enrico Preziosi, do të mbetet në bordin e drejtorëve, ndërsa CEO, Alessandro Zarbano, do të vazhdojë të menaxhojë operacionet e përditshme të klubit”.