Gazmend Bardhi e cilëson një akt të paprecedentë propozimin e PS-së që mbledhjet e Komisioneve Parlamentare të zhvillohen online.

Sipas Bardhi mazhoranca po tenton që t’i mbyllë gojën opozitës me këtë akt, ku në Konferencën e kryetarëve PS vendosi që Komisionet Parlamentare të bëhen online. Bardhi ka shtuar se të gjitha mbledhjet po zhvillohen fizikisht dhe nuk është logjike sipas tij që vetën mbledhjet e komisioneve Parlamentare të bëhen online.

“Në emër të tre grupeve parlamentare të opozitës dua të informoj mbi një akt të paprecedentë të pakicës që ka uzurpuar parlamentin në Konferencën e Kryetarëve për t’i mbyllur gojën opozitës.

Në përputhje me rregulloren e Kuvendit, vetëm në raste të jashtëzakonshme mund të zhvillohen mbledhje online të komisioneve.

Gjatë gjithë 8 viteve, kemi parë një parlament noter i akteve korruptive të qeverisë.

Ndaj, vendimmarrja për t’i mbyllur gojën opozitës ka synimin e vetëm për t’i ikur përgjegjësisë mbi debatin, diskutimin, për aktet korruptive të qeverisë. Kjo është e papranueshme për opozitën.

Ne do të zhvillojmë një mbledhje me 3 grupet parlamentare. Vendimi është i papranueshëm dhe ka si qëllim t’i fshihet syve të opinionit publik”, u shpreh Bardhi.