Në ndihmë të subjekteve, për të mos ngarkuar trafikun e qarkullimin, për të ulur ndotjen e rrezikun që lëvizja e mjeteve të rënda shkakton, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka nisur ofrimin e shërbimit të kolaudimit, në shembullin e EasyCheck të Kontrollit Fizik, duke dërguar ekipin te subjekti.
“Ky shërbim i dedikuar, për të garantuar cilësinë e standardet e të cilit po vijojmë trajnime e investime në pajisje të teknologjisë më të fundit, programohet me rezervim, pranë QKT-ve tona rajonale”, bën të ditur DPSHTRR.
Kontrolli teknik i mjeteve, ose siç njihet kolaudimi, ka qenë një shërbim i ofruar përmes një koncesioni për gati 11 vite. Nga dhjetori i 2020-s ky shërbim i është rikthyer shtetit dhe kryhet nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Me kalimin e këtij shërbimi nga kompania koncesionare te shteti, qytetarët duhet të paraqiten një herë në 2 vite dhe jo çdo vit siç ishte më parë për të kryer kontrollin teknik të mjetit të tyre. Kjo çon automatikisht në përgjysmimin e tarifës.