Fundjava ka krijuar radhë kilometrike makinash në segmentin Morinë-Kukës.
Shqiptarët e Kosovës që zgjodhën që të kalojnë fundjavën afër bregdetit tashmë janë drejtuar drejt vendit të tyre për të nisur javën, por numri i lartë i tyre ka krijuar trafik dhe orë të tëra pritjeje në Morinë.
Sipas pushuesve radha është krijuar në palën kosovare, pasi aplikohen masat anti Covid të vendosura para një jave nga qeveria e Kosovës.
“Është tmerr, rregullat e qeverisë kanë krijuar radhë, në Shqipëri kaluam më mirë”, thotë një pushues.
Ndërkohë një tjetër qytetar shprehet se me një radhë dhe trafik të tillë nuk e merr më malli për pushime.
“Na humbet koha dhe po na detyrojnë që të mos shkojmë më me pushime. Nuk më merr malli me udhëtuar në këtë mënyrë”, shprehet një pushues.
Ndërkohë në kuadër të masave kufizuese për përhapjen e Covid pritet që dhe në Shqipëri të futen në fuqi rregulla të reja.