“Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) është një partner i rëndësishëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) në shumë procese konstruktive në detyrat e bujqësisë”.
Kështu u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë një takimi që zhvilloi në ambientet e MBZHR-së, me përfaqësues së KASH-it, ku ndër tjera theksoi, që dëshiron veçse ta intensifikojë këtë partneritet.
“Në kuadër të këtij bashkëpunimi, vijoi ajo, mirëprita në një dialog anëtarët dhe drejtuesit e qarqeve të Këshillit të përbërë nga fermerë, prodhues e agropërpunues për të rrahur mendim, dëgjuar e nënvizuar sfidat që kemi përpara me programin e bujqësisë për çdo sektor dhe për të vetëdijësuar për rëndësinë e veçantë që kanë të gjithë aktorët në organizimin e punëve në bujqësi si një trupë”.
Në Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar, bëjnë pjesë 20 shoqata kombëtare që operojnë në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, peshkimit, ushqimit, agropërpunimit, agrobiznesit, agroturizmit, mikrofinancës, etj.