Që në nisje të fjalës së tij, në mbledhjen e mbajtur sot me qeverinë e re, që ishte edhe mbledhja e parë e qeverisë së re, Kryeministri Rama vuri theksin tek domosdoshmëria e respektimit të Kodit Etik.

Kryeministri madje citoi pjesë nga Kodi i ri Etik, duke u kërkuar të jenë të përpiktë në zbatimin e pikave të kodit, përndryshe përgjegjësia do të jetë personale dhe përballja e tyre do të jetë me publikun.

Gjithashtu, Kryeministri Rama tha se këto pika vlejnë njësoj për ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, drejtuesit e lartë në qeverinë qëndrore apo vendore, duke theksuar se ishte përgjegjësi e sekretarëve të përgjithshëm të garantojnë respektimin e këtij kodi nga të gjithë qeveritarët e përmendur më lart.

Nga ana tjetër, Rama theksoi se qeveria e tij ka shënuar që në fillim ndryshime sa i përket Kodit Etik, duke deklaruar dispozitat e Kodit për udhëtimet dhe pushimet janë zbatuar nga ata, gjë që “ka shënuar ndryshim në aspektin etik në krahasim me ato të mëparshme se më parë shulleheshin në plazhet e botës”.

Kryeministri përmendi edhe faktin se për sa i përket neneve në Kod që kanë të bëjnë me drekat dhe darkat, ato mund të mbahen në orar pune vetëm në raste të veçanta familjare ose arsye pune, duke theksuar se kjo pikë nuk ishte respektuar.

Madje Rama u tregua i ashpër me ministrat e tij të rinj, të cilët i paralajmëroi se nëse nuk respektohet Kodi i Etikës ata do të duhet të kërkojnë ndjesë publike dhe nëse shkelja përsëritet do të duhet të lirojnë pozicionin.

Kodi i ri Etik, i cituar nga Kryeministri Rama ndalon udhëtimet e anëtarëve të qeverisë në bussines class, përdorimi i makinave të ministrave nga familjarët, bileta udhëtimi të paguara nga kompani private për ministrat apo familjarët, etj.

Një pikë tjetër krysore e trajtuar në Kodin e ri ishte edhe ajo lidhur me dhuratat që u bëhen ministrave, për të cilën Rama tha se tashmë “Kryeministria ka një muze të dhuratave dhe një magazinë të posaçme që ruhen të gjitha dhuratat për shkak të detyrës, që nga medaljonet e këmbyera në takimet zyrtare apo objektet e ndryshme artistike, pavarësisht vlerës së tyre, të ulët apo të lartë monetare, deri tek dhuratat me vlera shumë të larta monetare” duke theksuar se “Deri në 2013 nuk u la asnjë dhurat protokollare, a thua se deri në 2013 ka qëndruar një fuqi pushtutese që ka ikur pa lënë gjurmë”.

Më tej, Kryeministri deklaroi se dhuratat që tejkalojnë një vlerë të caktuar duhet të inventarizohen dhe të shkojnë në stokun e Muzeut, apo në godinën e ministrive ku ka hapësirë, ndërsa sa i përket mbrëmjeve me kolektivin, Rama tha se nuk mund të financohen nga fondet e agjencive apo drejtorive.

Duke i paraprirë faktit se të gjitha këto nene që ai citoi mund të ngjanin vogëlsira, Rama kaloi më pas tek ideja që të gjitha këto sjellje krijojnë mitin e shefit kapadai, që për pasojë nuk arrin të respektojë norma të tjera të etikës profesionale të një zyrtari të administratës publike.

Kryeministri i mëshoi rëndësisë që ka respektimi i parimit të kolegjialitetit, në vendimmarrje dhe komunikim publik, si dhe marrëdhënia e ministrit me Adminsitratën që drejton, duke motivuar dhe duke bashkëpunuar ngushtë dhe vazhdimisht.

Promovimi i meritës dhe talentit, shmangia e ndërhyrjeve të të gjitha llojeve, nepotizmit, njohjeve, përkatësive partiake ishin temat kryesore sa i përket përbërjes së ministrive që po u besohen anëtarëve të qeverisë së re.

Një tjetër pjesë e Kodit Etik që citoi sot Kryeministri, ka të bëjë me marrëdhëniet e anëtarëve të qeverisë me parlamentin, nevojën për të lajmëruar, domosdoshmëria e pranisë së tyre në seancat e Kuvendit, në Komisionet Parlamentare kur mbrohen projektligjet dhe largimi nga seanca vetëm me leje.

Rama nuk la pa përmendur edhe detyrimin e ministrave dhe zyrtarëve për t’iu përgjigjur qytetarëve për çdo problem që shtrohet para tyre, duke prezantuar edhe se qeveria do të ketë brenda pak ditësh “një faqe të saj të re online, ku do të kemi dhe një rubrikë të dedikuar për informimin e publikut mbi çdo akuzë, denoncim apo pretendim me interes publik. Në atë rubrikë, secili dhe secila prej jush do përgjigjet me shkrim dhe me përgjegjësi individuale dhe institucionale për vërtetësinë e informacionit që do të japë”.

Madje kësaj pike, Kryeministri Rama i mëshoi më fort se të tjerave, duke theksuar se ministrat duhet të harrojnë nderet apo ndihmat qoftë edhe më të voglat që mund t’u kërkohen nga familjarët, duhet të mësohen me idenë që tashmë jeta e tyre është publike dhe transparenca është pjesë e rolit që kanë marrë, prandaj mund edhe të përballen me fyerje e shpifje për shkak të detyrës, por nuk duhet të harrojnë për asnjë moment se ata janë aty për t’u shërbyer qytetarëve të vendit.

Në mbyllje, Rama u kujtoi ministrave se, edhe pse të emëruar nga ai, pozicionin ata e mbajnë vetë, përgjegjësia, puna, por edhe suksesi në fund i përkasin atyre.