Kombëtarja shqiptare, e drejtuar nga Edy Reja, do të luajë sonte, prej orës 20:45, në “PGE Narodowy” të Varshavës ndeshjen e radhës kualifikuese të Grupit I, kundër Polonisë vendëse. Një transfertë mjaft e vështirë, ndaj një kundërshtari që kuqezinjtë tanë nuk e kanë mundur asnjëherë. Kujtojmë se aktualisht polakët kanë 4 pikë, ndërsa Shqipëria 6 pikë. Referuar historikut të përballjeve mes këtyre dy kombëtareve, Polonia mbetet e pamposhtur në 8 ballafaqimet zyrtare, të luajtura ndaj kuqezinjve, me 6 fitore dhe 2 barazime. Këto statistika njeh UEFA. Megjithatë, kuqezinjtë tanë kanë fituar një ndeshje ndaj polakëve më 29 nëntor 1953, në Tiranë, me rezultatin 2-0, ku patën shënuar të paharrueshmit Loro Boriçi dhe Refik Resmja. UEFA nuk e njeh si rezultat, sepse ishte miqësore ekipesh dhe seleksionesh punëtore, apo ushtarake nga ish-Kampi i Demokracive Popullore, ku bënin pjesë edhe Shqipëria e Polonia asokohe. Rrezikojnë ta humbasin ndeshjen vijuese ndaj Hungarisë, më 5 shtator, këto lojtarë kuqezinj, nëse marrin kartonë të verdhë sonte: Bare, Cikalleshi, Djimsiti, Gjasula, Hysaj dhe Manaj. Ato janë të ngarkuar tashmë me nga një të verdhë.
Sipas informacioneve nga kampi kuqezi, trajneri Reja nuk do të ndryshojë thuajse asgjë në formacionin startues. Kështu, në skemën e tij të zakonshme 3-5-2, trajneri italian do të akomodojë këto emra: Në portë do të jetë kapiteni Etrit Berisha, ndërsa prapavija me tre do të përbëhet nga Kumbulla, Gjimshiti dhe Ismajli. Një mbrojtje e tëra nga Serie A. Krahët e mesfushës do të patrullohen nga Hysaj dhe Trashi, ndërsa në qendër do të ketë hapësirë për Abrashi dhe Gjasula me rol shkatërrues, si dhe Bare për ndërtimin e aksioneve, qarkullimin dhe vertikalizimin e topave.
Dilema të mëdha në sulm, nisur nga forma mjaft e mirë që po kalojnë lojtarët e këtij reparti. Sidoqoftë, duke i besuar vazhdimësisë, trajneri Reja duket se ka zgjedhur për startues në këtë repart dyshen Cikalleshi-Manaj. Kjo do të thotë se për Broja dhe Uzuni mund të ketë minuta në vazhdim, në varësi të ecurisë së ndeshjes. Kujtojmë se kombëtarja e drejtuar nga Edy Reja do t’i luajë në shtëpi dy ndeshjet pasuese, ndaj Hungarisë (5 shtator) dhe San Marinos (8 shtator). Në këtë fushatë kualifikuesesh, kuqezinjtë janë ndeshur me Andorrën, Anglinë dhe San Marinon, duke marrë dy fitore ndaj modestëve në grup dhe humbur ndaj “Tre Luanëve”. Për momentin kryeson Anglia me 9 pikë, e ndjekur nga Hungaria me 7 pikë dhe Shqipëria me 6 pikë.