Për kryebashkiakun e Tiranës largimi i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe i berishizmit do të jetë një zhvillim i mirë për Partinë Demokratike dhe vendin. Veliaj foli për situatën në PD dhe përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, ku tha se e kishte parashikuar një ‘mbyllje me turp’ për Berishën.

Ndërsa mungesën e opozitës në bashki ai e sheh si një disavantazh. “Është disavantazh. Unë e shikoj në bashkinë e Tiranës. Unë harxhoj më shumë kohë fizike personale duke inspektuar, duke parë gjëra që deri dje mi bënte opozita. Do thuash ti: ‘Edhe ato ndoshta i bënte me axhendë politike’. Pra kur ti varesh te ‘Sami Frashëri’ dhe thua që këtu nuk do ndërtohen, nuk do ndërtohet pallate dhe shkolla shkon në Paskuqan. Sado tingëllon si idiotësi, se idiotësi ishte gjithsesi e kthen vëmendjen në një projekt ku unë them jo vetëm do bëjmë një super shkollë por ta sqarojmë për këdo lloj bufoni që beson që shkollat do shkojnë në Paskuqan që është komplet bashki tjetër. Pra, qoftë edhe në dikotominë, edhe në baraspeshën e diskursit politik edhe kur opozita ishte në nivelin e marrëzive gjithsesi i jepte skuadrës time të kuptonte që ka më shumë sy se syri i kryetarit që po ndjek gjërat. Tani kjo është vështirësi. Një pjesë e madhe fizike e kohës sime është duke ndjekur kantieret, duam të hapim 10 shkolla për pak ditë për fillimin e vitit të ri shkollor, do të thotë që e pranoj kritikën, gjithë Tirana është me kantiere, po të nevojshme. Ne kemi pasur mësim me dy turne, ajo që më vjen mirë që ne do kemi herën e parë zgjedhje në bashki të Tiranës ku nuk do flitet më për shkolla me dy turne. Ne mund të flasim për gjithçka tjetër, por nuk do flitet më për shkolla. Kështu që për këtë arsye mos pasja e opozitës në bashki ka qenë një anomali dhe ka shtuar barrën e atyre që janë drejtues për të bërë dhe një retorikë kundërshtuese brenda llojit. Kështu që qeveria tani e ka zgjidhur këtë, qeveria e ka një opozitë në numra edhe vokalisht prezentë”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se mezi pret zgjedhjet e ardhme të bashkisë që të ketë një zë opozitar. Sa i përket çështjes së Berishës, Veliaj tha se fundi i tij është dhe fillimi i fundit të kulturës toksike. “Shiko kam përshtypjen këtu kam qenë muaj përpara ku ju kam thënë, nuk e di a ke akoma në arkiv por mbaj mend që e kishe futur edhe te batutat në fund të emisionit, që ai njeri do ta mbylli me turp. Sepse është parim biblik, kuranor, kush jeton nga shpata vdes nga shpata. Pra po jetove duke shpifur dhe duke sajuar dhe duke iu bërë gropën njerëzve, eventualisht do biesh vetë brenda. Është e pashmangshme, është natyra njerëzore, cikli i jetës, është historia që na ka mësuar. Siç thashë atëherë ai njeri do ta mbylli me turp dhe e mbylli me turp.

Në politikë ose në të gjitha profesionet biologjia bën të vetën. Pra nuk besoj që ata ithtarët më të mëdhenj të Saliut thonë: ‘Besojmë te Saliu se ai është e ardhmja’. Ai vetëm e ardhmja nuk është, qoftë edhe fizike. Kështu që unë them që ai nuk ka as kohë të rehabilitohet dhe sigurisht nuk jam këtu të bëj llogaritë e tyre. Kur vjen puna te kundërshtarët them kokat hëngshin se vetë e gatuan këtë lloj kulture, vet e futën kulturën e shpifjes, të lajmit të rremë, të sajesave, të historive të paqena, të prodhimit të histerive kolektive, domethënë janë po ata Nishani, me Saliun, me Lulin. Filluan te lodrat, pastaj me ‘Astirin’. ‘Astiri’ sot mbaroi tuneli i pestë. Asnjë nuk po thotë sot që: ‘Ej më fal po 3 vite që ne e morëm këta do mbajnë përgjegjësi se morën 3 vite të jetës sonë me atë çudi’. Do fillojmë Tatrin tani në tetor po askush nuk thotë: ‘Ore po këto 4 vjet që i morën këta duke ruajtur tallashin aty’, kështu që gatuan çorbën që po e hanë vet. Siç thashë atëherë, ky do e mbylli me turp dhe kush jeton nga shpata do vdes nga shpata. Ndoshta mësimi për të tjerët është: ‘Jeto një jetë dinjitoze’. Ne mund të biem dakord për të mos rënë dakord, por unë nuk kam pse merrem me familjen tënde dhe ti me timen dhe ne t’i hyjmë librit të shtëpisë. Unë besoj që me fundin e Saliut është dhe fillimi i fundit të kësaj kulture toksike ku dhe dy shqiptarë të thjeshtë në kafe shthurin fjalorin për gjë krejt banale si mund të jetë një vend parkimi. Kjo vjen nga politika. Ne po merreshim me aksionin e parkimit tani ti kur shikon Lulzim Bashën që gris fletët e votimit, e para e punës mungesë respekti për ata që i thua vota është e shenjtë, pastaj kur e hedh në atë mënyrë banale, sigurisht një pjesë e njerëzve të Tiranës thotë që: ‘Ky që është pjesë e stabilshmentit hedh letra në Parlament po i hedh edhe unë nga ballkoni’. Unë besoj që kultura toksike, kultura vandale, se ne kemi harruar se përpara se të fillonte sherri i Lulit me Saliut, përpara se të fillonte pandemia, Tirana digjej për sport çdo dy javë me ato protestat. Tirana vandalizohej për sport, Tirana kthehej në një fushë beteje. Ju kujtoj çfarë ndodhi jo këtë dimër, por dimrin e kaluar. Kështu që për të gjithë këto arsye shpresoj që jo vetëm PD, por Shqipëria do jetë më e mirë me largimin e Berishës dhe berishizmit. Ajo që pash në Parlament dhe prandaj e solla, pra kur pash Lulin që grisi ato thashë ka ikur Saliu por nuk ka ikur berishizmi. Ai po mundohet të bëjë Saliun e vogël, po të kuptojnë që mileti është lodhur nga këto muhabete, është lodhur na kjo frymë përçarëse, është lodhur nga këto toksina dhe helme për t’i përçarë njerëzit ndoshta dhe ata do kenë një shans për të fituar”, deklaroi Veliaj.