Nga Alfred Peza/

Refereni i propogandës së Sali Berishës, është fokusuar tek mesazhi, se Lulzim Basha ka tradhëtuar demokratët. Ky refren po dëgjohet çdo ditë e më shpesh nga berishistët, të cilët e kanë gjetur kësisoj shpejt e shpejt, gozhdën e re të Nastradinit. Kjo këngë u këndua në kor, edhe gjatë takimit të fundit në Vlorë, në kuadër të turit që “lideri historik” po zhvillon nëpër Shqipëri.

Ata që e njohin sadopak zejen e komunikimit publik, e kuptojnë menjëherë se mesazhi ka arritur tashmë atje ku ishte adresuar, nga ata që gatuajnë ushqimin politik për turmat. Tek militantët. Tek njerëzit e thjeshtë. Tek qytetarët. E mbi të gjitha, tek demokratët, të ndarë tashmë në dy tifogrupe të cilat në këtë ndeshje finale brenda llojit janë; ose me Lulzim Bashën, ose me Sali Berishën!

E sigurtë është se njëri, i ka tradhëtuar demokratët, por nuk po bihet dakord se nga kush prej tyre. I riu, apo i vjetri? Ai që u deklaroi publikisht në 2013 se do ikte, ndërkohë që vazhdon të mbahet ende me thonj, për të mos ikur deri në vdekje? Apo nga ai që ia plotësoi më në fund dëshirën, tani në shtator 2021, pasi SHBA e shpalli “non grata”? Kjo dilemë, ka marë tashmë, trajtën e një loje të re kungulleshkash politike.

Këtë lojë e hapi kampi i “liderit historik”, i cili e identifikon veten jo vetëm me demokratët, por edhe me lirinë. Me demokracinë. Me pluralizmin. Me PD. Me Shqipërinë. Me popullin. Dhe kombin shqiptar. Ndaj edhe vendimin e Lulzim Bashës, për ta përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD, po e komentojnë jo si një vendim ndaj Sali Berishës personalisht. Por si një akt tradhëtie, kundër demokratëve!

E vërteta është, se nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha, ka një tradhëti. Por ajo nuk është mes tyre. Nuk ia kanë bërë njëri- tjetrit, pavarësisht se Sali Berisha, e ka marë personale. Ai vetë, propaganda e tij dhe mediat që e mbështesin, po flasin për mosmirënjohje nga ana e Lulzim Bashës. Për thika të ngulura prapa shpinës së Sali Berishës. Për prerje në besë. Për tradhëti. Për skuthllëqe…

E trajtojnë aktin politik të Lulzim Bashës si personale, sepse duke mos patur argumenta, kërkojnë që të luajnë me viktimizmin. Por i bien kësaj vrime, edhe për shkak se Sali Berisha e konsideron PD një pronë private. Duke harruar se PD, është një nga pasuritë më të mëdha, të sistemit demokratik dhe pluralist të vendit. Ndaj nëse këtu ka realisht një tradhëti, ajo nuk i është bërë as njërit e as tjetrit, por shqiptarëve.

Në historinë e marrëdhënies mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, ka vërtetë një tradhëti. Të madhe madje. Shumë shumë të madhe. Ajo i është bërë demokratëve, fiks ashtu siç pretendon propaganda e Sali Berishës, duke kërkuar largimin me çdo kusht e çmim të Lulzim Bashës nga kreu i PD. Kjo tradhëti nuk është bërë as sot dhe nuk është bërë as nga Lulzim Basha. Ajo është bërë nga Sali Berisha.

Ky akt ka ndodhur as më pak e as më shumë, por fiks 8 vjet më parë, atëherë kur Sali Berisha dha dorëheqjen nga Kreu i PD. Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2013. Atëherë kur në garën për vendin e tij të lënë bosh, u përballën Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. I pari i katapultuar në majën e PD, pasi u rikthye posaçërisht nga jashtë, nga vetë Sali Berisha. I dyti, një produkt politik i rritur e bërë 100% vetë brenda së djathtës dhe PD, përmes zotësisë dhe duke paguar çmimin.

Në vend që ta linte rrjedhën e kësaj përballje të lirë, përmes një procesi demokratik ku vetë demokratët të caktonin sipas parimit “një anëtar një votë” liderin e tyre të ri, Sali Berisha ndërhyri siç e ka pranuar më në fund edhe vetë. Duke luajtur në prapaskenë, të gjitha fijet në atë mënyrë, që në fund Kryetar i PD të bëhej Lulzim Basha.

Kjo është tradhëtia më e madhe që i është bërë demokratëve të Shqipërisë. Ajo mban emrin e Sali Berishës. Sepse nuk ka akt më të rëndë për një parti që u krijua në emër të pluralizmit dhe të së drejtës për të zgjedhur në liri e për tu zgjedhur, sesa ti emërosh kryetarin. E si të mos mjaftonte kjo, të mos mbash pas kësaj as premtimin që bëre, për tu tërhequr nga politika. Por të vazhdosh sërisht në prapaskenë, të kërkosh që të bësh akoma, rolin e liderit real derisa të jesh gjallë.

Ky është akti i një tradhëtie të lartë, jo vetëm ndaj rregullave të lojës në demokraci, por mbi të gjitha ndaj besimit deri dje të verbër për të nga ana e demokratëve. Ndaj për këtë, Sali Berisha duhet të ndëshkohet prej tyre, me braktisje totale. (Alpenews.al)