Luan Rama e shpërndau përgjegjësinë e rezultatit të LSI-së në qarkun e Vlorës, ku për zgjedhjet e 25 prillit u caktua drejtues i fushatës. Ai foli për një sërë faktorësh politikë dhe jopolitikë, zgjedhorë e jozgjedhorë që ndikuan në këtë rezultat, por pa dhënë më shumë detaje. Rama, që dha dorëheqjen dhe njoftoi largimin nga LSI përmes një statusi në Facebook. Këtu deklaroi se ka marrë mbështetjen e ndjekësve, ndërsa disa vunë re heshtjen e drejtuesve të tjerë të LSI-së për këtë dorëheqje. Luan Rama i thumboi.
“Për mua ka rëndësi që ato mesazhe, komente, like dhe që kam marrë në Facebook dhe në telefonata janë të gjitha mesazhe solidarizimi me vendimin tim. Mua nuk më intereson dikush që ka marrë më pak vota se komentet dhe like-t që kam marrë unë në Facebook”, tha ai në një intervistë për News24.
Kujt iu drejtua kjo ironi e Luan Ramës? Njëri prej emrave me të cilin u përplas gjatë fushatës brenda LSI-së ishte Petrit Vasili. Ky i fundit mori vetëm 362 vota në Tiranë, por do të jetë në Parlamentin e ri pas zgjedhjes së Monika Kryemadhit për të përfaqësuar qarkun e Fierit dhe jo Tiranën.