Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron mbeten të përkushtuar ndaj një qasjeje të ngushtë franko-gjermane në çështjet ndërkombëtare. Të enjten në mbrëmje, në një takim në Paris, dy liderët diskutuan çështje të tilla si situata në Afganistan dhe marrëdhëniet evropiane me shtetet fqinje lindore. Fokusi i veçantë i bisedimeve mes tyre ishte situata në Afganistan. Përpara bisedimeve, Merkel theksoi se ”donte të diskutonte se çfarë do të thotë tërheqja e NATO-s për misionet e ardhshme në luftën kundër terrorizmit”.

Macron shtoi se ”donte të fliste për pasojat që evropianët duhej të nxirrnin nga situata”. Ende në krizën afgane, Merkel dhe Macron duan të mbështesin vendet në kufi me Afganistanin që kanë mirëpritur njerëzit, pasi talebanët morën pushtetin. Macron shtoi se ”ata do të vazhdojnë të punojnë për të marrë qytetarët evropianë dhe afganët që kërcënohen nga regjimi taleban” dhe se ”do të jem vigjilent mbi marrëdhëniet e talebanëve me organizatat terroriste”. Përveç çështjeve ndërkombëtare, dy liderët diskutuan edhe për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Vendime të rëndësishme do të merren deri në fund të vitit dhe gjatë presidencës së ardhshme franceze të Këshillit të BE-së duke filluar nga janari i ardhshëm. Kancelarja e siguroi Macron se ”Gjermania do të vazhdojë të jetë një partnere e besueshme gjatë periudhës së tranzicionit pas zgjedhjeve të Bundestagut” dhe se ”Gjermania do të bëjë gjithçka të mundshme në mënyrë që të mos ketë bllokim në vendimet e nevojshme”. “Ne duhet të shohim se si mund të jemi në avangardë të mbrojtjes së klimës dhe në të njëjtën kohë të mos humbasim bazën tonë industriale në Evropë”, shtoi Merkel duke diskutuar mbi ndryshimet klimatike. Merkel do të japë dorëheqjen si kancelare këtë muaj pas 16 vitesh në krye të politikës gjermane.