Java e 6-të e Serie A do të hapet me sfidën Spezia-Milan në orën 15.00. Kuqezinjtë e Piolit janë në formë shumë të mirë dhe aktualisht e shohin veten, vetëm 2 pikë larg kryesuesve të Napolit. Milani kërkon vazhdimësi në rezultate, prandaj synon suksesin e radhës në transfertën e sotme.

Në mesjavë luhet në Champions, prandaj tekniku Pioli ka vendosur që të bëjë disa ndryshime në formacion për këtë sfidë. Në krahasim me ndeshjen kundër Venezias, rikthehen titullarë Kessie, Tomori, Theo Hernandez dhe Saelemaekers, por surpriza mund të quhet debutimi i Daniel Maldinit nga minuta e parë në mesfushë në vend të Brahim Diaz.

Giroud është rikuperuar plotësisht dhe duket favorit ndaj Rebic për ta nisur ndeshje nga minuta e parë. Kjaer, Krunic, Florenzi, Bakayoko, Messias dhe Ibrahimovic do të mungojnë kundër Spezias.

Vendasit kanë bërë një paraqitje të mirë përballë Juventusit në mesjavë, por nuk arritën të merrnin dot pikë përballë bardhezinjve. Të besuarit e Thiago Mottas kërkojnë të bëjnë një tjetër ndeshje të madhe, duke synuar fitoren e parë sezonale në shtëpi përballë Milanit.

Pritet që tekniku vendas t’i besojë të njëjtit formacion që u përball me Juventusin, prandaj Rey Manaj do ta nisë sërish sfidën nga pankina.

Formacionet e mundshme/ Spezia (4-2-3-1): Zoet; Amian, Nikolaou, Hristov, Bastoni; Bourabia, Sala; Gyasi, Maggiore, Verde; Nzola. Milan (4-2-3-1): Maignan; Kalulu, Tomori, Romagnoli, Theo Hernandez; Kessie, Tonali; Saelemaekers, Maldini, Leao; Giroud.