Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, për reciprocitetin e targave. Përmes një shënimi në Twitter, Xhaçka shkruan se vazhdimi i dialogut është e vetmja mënyrë, në frymën e bashkëpunimit. “Shqipëria përshëndet marrëveshjen e arritur sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Vazhdimi i dialogut është e vetmja mënyrë për të ecur përpara në frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilit Shqipëria është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe”, shkruan Xhaçka.
Palët janë pajtuar për tri pika kyçe:
1.Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, nga ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
2.Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, si masë e përkohshme, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
3.Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Albania welcomes the agreement reached today in #Brussels between #Kosovo and #Serbia. The continuation of the dialogue is the only way fwd, in the spirit of cooperation to which ?? is irreversibly committed in its bilateral and multilateral efforts.
— Olta Xhaçka?? (@xhacka_olta) September 30, 2021