Kompania flamurmbajtëse shqiptare “Air Albania” bëri të ditur se sot kanë mbërritur në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit udhëtarët e parë me “Naimin”, avionin më të ri të saj. “Naimi” është avioni i tretë që i bashkohet kompanisë flamurmbajtëse shqiptare, duke e çuar kështu në 3 avionë flotën aktive të Air Albania.
Pas “Lasgushit” dhe “Migjenit”, linjës së fluturimeve “Air Albania” iu shtua këtë javë edhe avioni që mban emrin e poetit të shquar të Rilindjes Kombëtare, “Naimit”, i cili do të mbulojë linjat Verona, Bergamo e Pisa me Italinë. “Air Albania”, e themeluar në maj të vitit 2018 me qendër në Tiranë, u krijua nga partneriteti i Albcontrol, një degë e qeverisë shqiptare dhe Turkish Airlines. Fluturimi i parë drejt aeroportit të ri të Stambollit, u krye më 19 prill.