Ministrat e Mbrojtjes të Bashkimit Evropian diskutuan të enjten për mënyrën se si t’u përgjigjen më mirë krizave të ardhshme pas marrjes së Afganistanit nga talebanët, përfshirë krijimin e një force të reagimit të shpejtë.

Ndërsa u takuan në Slloveni për të diskutuar mësimet e nxjerra nga evakuimi kaotik i Afganistanit, Gjermania propozoi që anëtarët e koalicionit që janë të gatshëm t’u mundësohet të krijojnë një forcë ushtarake të dislokimit të shpejtë prej 5,000 trupash për t’iu përgjigjur krizave, me më pak mbështetje nga Shtetet e Bashkuara.

Përpjekjet e BE-së për të krijuar një forcë të reagimit të shpejtë kanë qenë në heshtje për më shumë se një dekadë. Por tërheqja e trupave amerikane dhe aleate nga Afganistani e ka detyruar bllokun prej 27 vendesh ta rishqyrtojë çështjen.

Propozimi për krijimin e një force prej 5,000 anëtarësh u ngrit për herë të parë në maj gjatë një rishikimi të strategjisë së përgjithshme të bllokut.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha në takimin e së enjtes se ai shpresonte që një plan i tillë të përfundonte deri në nëntor.

Strategjia e përgjithshme e BE -së pritet të finalizohet vitin e ardhshëm.

“Nevoja për më shumë mbrojtje evropiane nuk ka qenë kurrë aq e qartë sa sot pas ngjarjeve në Afganistan”, tha zoti Borrell.

Marrja e Afganistanit nga talebanët dhe evakuimet e nxituara ajrore të dhjetëra mijëra njerëzve pas vendimit të SHBA-ve për të tërhequr trupat ka ekspozuar varësinë e BE-së tek Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa trupat e BE-së ishin në prapavijë gjatë evakuimit, SHBA mbështeti vendet evropiane në përpjekjet për të evakuuar qytetarët dhe trupat e tyre./voa