E shtuna ka mbledhur në Selcë të Poshtme, krahina e Mokrës me qindra qytetarë, banorë të zonës, miq e dashamirës dhe turistë. Traditat, zakonet, gatimet, sportet, lojrat, koncerti, shëtitje me kuaj ishin pjesë e Mokra n’fest, organizuar nga bashkia e Pogradecit.

Mokra n’fest njihet si festa e kulaçit dhe e dollisë, e njohur për një histori dhe traditë tepër të veçantë, si dollia me 101 shëndete. Pjesë e saj janë gatimi i kulaçit, lakrorit, reçelrave, komposteve etj. por ndërkohë nuk munguan vallet, këngët, lojërat në natyrë dhe eksperienca e veçantë e shëtitjeve me kuaj.

Të shumtë ishin edhe qytetarë nga zona të ndryshme të vendit që iu bashkuan kësaj feste në të cilën promovohen prodhimet e zonës. Kjo zonë vlerësohet si një potencial turistik, kulturor dhe historik. Mokra njihet edhe si kryeqendra e mbretërisë së parë ilire. Dëshmitë historike monumentale tregohen përmes 5 varreve të Selcës në kodrën e quajtur Gradishtë.