NATO ka bërë të ditur se ka evakuuar mbi 500 ish-punonjës afganë dhe familjarë të tyre nga Afganistani që kontrollohet nga talebanët. “Mbi 500 afganë që kanë punuar me NATO-n dhe familjarë të tyre janë evakuuar dhe janë vendosur të sigurt në objekte të përkohshme në baza nëpër Evropë të mbajtura nga trupat aleate”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë.

Bazat ushtarake evropiane ofrojnë strehim të përkohshëm për afganët derisa NATO dhe zyrtarët kombëtarë të rregullojnë statusin e mbrojtjes ndërkombëtare, strehimin dhe mbështetjen për ta në vendet aleate. “NATO është e angazhuar të evakuojë në një mjedis të sigurt punonjësit e NATO-s dhe familjet e tyre, ata njerëz me të cilët kemi shërbyer në Afganistan”, tha gjeneral majori John Mead, shef i shtabit në Trupat Aleate të Reagimit të Shpejtë. Në total, aleatët e NATO-s nga aeroporti i Kabulit kanë evakuuar mbi 120 mijë persona./AA/