Konstitucionalisti i njohur shqiptar, Kristaq Traja është ndarë nga jeta. Lajmin e kanë dhënë miqtë e tij në rrjetet sociale për këtë ndarje. Ai u shua në moshën 66-vjeçare dhe për shkak të një sëmundje të rëndë që kishte. Report Tv mëson se Traja është shuar në Strasburg, ku jetonte prej vitesh pasi ka mbajtur edhe pozicionin e gjyqtarit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si përfaqësues i Shqipërisë. Traja ka qenë një nga gjyqtarët e parë shqiptar në Gjykatën e Strasburgut dhe njihet si një nga konstitucionalitët më zotë për të drejtën kushtetuese.7
“Lamtumirë Kristaq Traja! Miku im i mirë në kohëra të vështira. U prehsh ne paqe mendjendritur”, shkruan një nga miqtë e të ndjerit.
Kush ishte Kristaq Traja
U diplomua në drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1978. Gëzon një eksperiencë 10-vjeçare si Gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Strasburg për periudhën 1998 – 2008 dhe ishte një ndër akademikët më të njohur në Ballkan për të Drejtën Kushtetuese. Karriera e tij si profesionist në fushën e ligjit ka filluar në vitin 1986 ku ka ushtruar detyrën e specialistit në Sektorin e Studimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme deri në vitin 1991. Ai ka qenë anëtar i Bordit të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë gjatë periudhës 1991 – 1992 dhe Zëvendës Ministër i Drejtësisë gjatë viteve 1992 – 1993.
Ai ka qenë gjithashtu anëtar i grupit të punës për hartimin e Kushtetutës Shqiptare të vitit 1998. Prej vitit 1994 ai pedagog i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkollën e Magjistraturës. Gjatë periudhës 2012 – 2014 ai ka qenë Rektor i Universitetit Luarasi. Gjithashtu, që nga viti 2008 ai ishte Avokat në disa studio ligjore prestigjioze në vend. Është autor i disa publikimeve dhe përkthimeve në fushën e ligjit.