I ftuar në rubrikën “Ka një mesazh për ty” ka qenë Agroni i cili ka lindur në një fshat të Fierit, ka 5 motra dhe 2 vëllezër dhe tregon se fëmijëria e tyre ka qenë shumë bukur. Ai rrëfen se pas viteve ’90 filloi emigracioni masiv dhe ai kishte dëshirë të largohej kështu vendosi të shkojë në Itali me barka të ndërtuara e fuçi nafte përmes shumë peripecive.
Agroni: Filluam të organizoheshin, krijuam një barkë me fuçi të naftës, ato 2 kuintalshet dhe e bëmë barkën. Ardit Gjebrea: Si mund të ikë një njeri me një barkë me fuçi, të niset për Itali? Ishte e rrezikshme?
Agroni: Shumë e rrezikshme, hipëm 7 veta në një barkë. Ishim 11 barka, ishte njëri që e njihnim aty në fshat që ai futej në një lundër të vjetër dhe thoshte kam kaluar detin dhe ne e besonim. I hipëm kësaj varke për të shkuar në Itali, por në Itali nuk dolëm. Kur hymë në kanal të Otrantos, ishte shumë i vrullshëm, kishte shumë peripeci, na fuste brenda dhe na nxirrte si tullumbace sipër deti.
Ardit Gjebrea: Sa ditë zgjati kjo aventurë? Agroni: 3 ditë në det. Ushqime kishim vetëm për 1 ditë e gjysmë dhe uji na mbaroi e qëndruam 1 ditë e gjysmë pa bukë e ujë.
Ardit Gjebrea: Pastaj ju gjetën italianët? Agroni: Na erdhi një anije luftarake italiane, na hodhi grepin tek barka e na nxori lart dhe na çuan në Brindisi. Unë isha rreth 18-19 vjeç dhe më çuan mua dhe kushëririn tim në një shtëpi pritje. Qëndrova atje 3 vite, mësova mirë italishten dhe fillova të punoja në agrikulturë të mblidhja domate, mollë.