Pas ardhjes nga Polonia, për rreth 1 orë, lojtarët kuqezi që u aktivizuan në ndeshjen e fundit kanë zhvilluar stërvitje të veçuar, ndërsa pjesa tjetër ka zhvilluar stërvitje me intensitet të plotë.
I pranishëm në këtë seancë ka qenë edhe Nedim Bajrami, i cili pasi mori dritën jeshile nga CAS për të luajtur me Shqipërinë, është bashkuar me kuqezinjtë dhe do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e radhës ndaj Hungarisë dhe San Marinos.
Ndërkaq, zyra e shtypit në FSHF bën me dije se dy futbollistët Enest Muçi dhe Mario Mitaj, pas stërvitjes me Kombëtaren A, kanë udhëtuar në mbrëmje drejt Elbasanit për t’u bashkuar me Kombëtaren U-21.
Të dy lojtarët do të vihen në urdhrat e trajnerit të Shpresave, Alban Bushi për ndeshjen e eliminatoreve të Europianit për moshën U-21 ndaj Republikës çeke. Kësisoj, lista e Kombëtares A përbëhet aktualisht nga 26 lojtarë.
Sot kombëtarja do të zhvillojë edhe përgatitjet e fundit para ndeshjes me Hungarinë që luhet më 5 shtator në stadiumin Elbasan Arena.