Ish kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi Fatmir Xhafaj ka komentuar iniciativën
për ndryshimin e kushtetutës sa i përket zgjatjes së afatit të funksionimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përtej qershorit të vitit të ardhshëm.
Për Fatmir Xhafaj, që udhëhoqi të gjitha betejat për të çuar përpara reformimin e sistemit të drejtësisë, është domosdoshmëri që kjo vendimmarrje të prihet nga një analizë e detajuar ku të marrin pjesë të gjithë aktorët.
Në rekomandimin e tij, ai nënvizon se në këtë mënyrë do të dalin argumentet e nevojshme nëse procesi i vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët e mbetur duhet të përmbyllet nga KPK-ja apo ai duhet të zhvendoset te Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai i Gjyqësor, siç është e parashikuar edhe në Kushtetutë.
“Unë nuk them se të dyja opsionet nuk qëndrojnë. Ajo që konsiderohet shumë e rëndësishme në gjykimin tim është se përpara se ne t’i drejtohemi nevojës ose rrugës për të bërë një ndryshim kushtetues, do të duhet të bëjmë një analizë.
Kjo është themelore dhe e domosdoshme për të kuptuar se si ka ecur procesi, jo veç në këtë rast po për çdo ndryshim kushtetues. Nuk është një akt i lehtë dhe s’mund të jetë një dëshirë e momentit. Në këtë kontekst duhet të ketë një analizë që të mësojmë cilat janë arritjet, sukseset dhe avantazhet që e bëjnë të domosdoshme zgjatjen e afatit në krahasim me atë çfarë ka parashikuar sot Kushtetuta dhe cilat janë disavantazhet apo efektet që do shkaktohen?
Nëse e kemi një analizë të tillë, aherë mund të themi që na duhet një ndryshim Kushtetues për të shkuar në këtë rrugë vetëm me argumentet përkatës. Është e thjeshtë të thuhet se do të bëjmë një ndryshim Kushtetues, por çështja është sa kohë, po pse kaq kohë dhe sa garanci kemi që në një vit, apo në dy siç thotë dikush?
Këtu nuk është çështje subjektive si e mendoj unë apo dikush tjëtër, prandaj është e nevojshme një analizë me argumentet përkatës dhe natyrisht edhe me përfundimet e nevojshme ku do të përfshihet në radhë të parë vetë Kuvendi, organet përkatëse, përfaqësues të shoqërisë civile dhe misionet e asistencës ndërkombëtare, përfshi këtu ONM dhe dy misionet që asistojnë reformën në drejtësi EURALIUS dhe OPDAT”, shprehet ndër të tjera Xhafaj.
Ai shton se analiza gjithëpërfshirëse dhe e thelluar përbën gjithashtu edhe një dokument të rëndësishëm e bindës edhe për vetë opozitën për t’u dakordësuar në parlament.
“E para nuk mund ta ulësh opozitën thjesht me faktin që unë mendoj kështu ose ne mendojmë kështu, edhe ju duhet të mendoni si ne. E dyta nëse ke argumente dhe ato janë të qenësishëm, opozita cilado qoftë ajo do ta ketë shumë më të lehtë të bëhet pjesë e një zgjidhje të tillë dhe të jetë kontributore për një zgjidhje. Është e rëndësishme edhe në një aspekt tjetër që t’i shpëtojë këtij kurthi politik.
Pra ne si mazhorancë por edhe opozita në mënyrë të veçantë, nuk duhet ta shohë këtë si arena e radhës ku përplasen kokat e nxehta politike. Jo, këtë duhet ta shohin në funksion të nevojës që kemi për të pasur sa më shpejt organet e reja të reformës në drejtësi të plotësuar edhe me elementin thelbësor siç provoi koha, të rivlerësimit të tyre”, nënvizon Xhafaj.
Në intervistën e tij për Vizion Plus, Xhafaj gjithashtu vlerëson se si KPK-ja dhe dy organet e reja të drejtësisë, KLP-ja dhe KLGJ-ja, zotërojnë të njëjtin integritet për të pastruar sistemin e drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.
“Nga pikëpamja e standardit dhe integritetit të procesit unë nuk e vë dyshim dhe jam krejtësisht i bindur që nuk ka cenim të procesit, edhe në rast se ky proces vazhdon në mënyrën e parashikuar nga kushtetuta. Askush nuk më thotë mua dot që komisionerët që punojnë në Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit kanë më shumë integritet se gjyqtarët e prokurorët e vetuar pjesë e KLP-së dhe KLGJ-së se apo se prokurorët e posaçëm të SPAK, kjo nuk më bën kuptim, nuk e pranoj dot”, thotë Xhafaj.