Nëna e Cristiano Ronaldos, Dolores Aveiro, ka shpalosur hollësi nga takimi i famshëm i Ronaldos dhe Cristiano Jr me Lionel Messin në ceremoninë e ndarjes së Topit të Artë më 2017. Aveiro është zakonisht figurë private, por së fundmi ka folur në një intervistë më gjerësisht për të birin dhe nipin e vet. Ajo e zbuloi se cili ishte reagimi i Cristiano Jr kur e kishte parë Messin dhe tha se në atë kohë nipi i saj ishte më i gjatë sesa ylli argjentinas i Paris Saint-Germain.
“Isha me Cristiano Jr dhe i thashë: ‘Shiko, ai është Messi.’ Ai m’u përgjigj: ‘Ky nuk është Messi, ky njeri qenka shumë i shkurtër’. Por biri im e nxiti atë dhe i tha të shkojë dhe ta përshëndetë Lionelin”, tha Aveiro.
Në kohën kur u takua me Messin, Cristiano Jr ishte vetëm 7-vjeçar. “Nipi im ishte më i gjatë se Messi në atë kohë. Ishte një çast shumë qesharak”, shtoi ajo. Nga ajo ceremoni, Ronaldo doli si fitues i Topit të Artë për herë të fundit.