Nga Pajtim Bello/

Përplasja brenda Partisë Demokratike (PD) duket se do të njohë “majat e heshtave”. Si në çdo betejë palët shpallin kauzën për të cilën, po qe nevoja, do të flijohen. Në këtë rast si kauzë është shpallur shpëtimi i PD. Secila palë ndërluftuese do të luftojë ta shpëtojë PD nga uzurpimi i bërë prej palës kundërshtare. Pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi Parlamentar i PD, të panjohurat e ekuacionit kanë dalë mbi tavolinë. Flamurtarët e palëve duken sikur janë Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Por jo, nuk është thejsht një luftë mes tyre për marrjen e lidershipit të PD. Është një betejë për ndryshimin e PD. Si e tillë është historike për PD dhe për shoqërinë shqiptare; për këtë kërkohet që askush të mos përfshihet me berrihaj në këtë betejë. Antarësia e PD, përpara se të përfshihet në betejë, duhet të njohi zhvillimet në udhëtimin e kësaj partie qysh prej themelimit. Të gjithë duhet të zhvishen nga ndikimi i emrave, të lexojnë me vëmendje historinë e tyre e të Shqipërisë dhe pastaj të zgjedhin se në cilën prej falangave do të rreshtohen.

Themelimi i PD mbart me vehte një dramë të dëshmuar prej të gjithë themeluesve: infiltrimin e Sali Berishës në procesin e ndryshimeve të mëdha dhe marrjen e kreut të PD prej Tij. Ky është pushtimi i parë, më i drejt për drejti e më i qënësishmi që pasoi më të tjera drama në jetën organizative e politike të PD dhe fatin e rrjedhës demokratike për Shqipërinë. Pushtim i kadifenjtë ndodhi lehtësisht sepse ata që bënin revolucionin ishin idealist, nuk kishin eksperiencën politike dhe ranë në kurthet strukturave shtetërore e partiake të kohës. Pushtimi i dytë filloi me spastrimet nga ish themeluesit që me bindje e me shpirt aspironin për një Shqipëri Demokratike dhe mbushjen e strukturave drejtuese të partisë me ekstremistë të cilët vetëm me demokracinë nuk kishin asnjë lidhje. Dhe sidomos kjo pas marrjes së parë të pushtetit prej PD, kur filloi vala e tretë pushtimit; valë kjo që goditi pa mëshirë deri edhe Azem Hajdarin. Pushtimi i tretë shënoi rënien përfundimtare të flamurit të demokracisë nga kështjella e PD.

Fatkeqësisht PD nga një formacion politiko shoqëror u kthye në një strukturë okulte mbi shtetërore. Ky moment shënoi atentatin ndaj demokracisë, iu hapi rrugë zhvillimeve dramatike që kulmuan me ngjarjet në harkun e viteve 1992-1998, ngjarje që kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme në trupin e drobitur të Shqipërisë. Është e nevojshme të theksojmë se protagonist i këtyre zhvillimeve ka qenë Sali Berisha i mbështetur fort nga krahu ekstremist që prej vitesh kishte bërë shtrat në PD. Politikat djallëzore të Saliut dhe pushteteve të tij nuk u mjaftuan vetëm më çfarë për 30 vjet i punuan këtij vendi por cenuan rëndë Çështjen e Kosovës dhe Stabilitetin e Rajonit. Të paudhët e përkëdhelur, të udhëhequr nga Sali Berisha, hoqën maskat dhe derdhën kupën. Erdhi momenti kur mjaft është mjaft dhe kjo iu tha atyre. Kuptohet qartë se uzurpatorët e PD dhe të Shqipërisë ishin dhe janë Sali Berisha me të tijtë. Përzënia e tyre është domosdoshmëri historike. Anëtarësia e PD duhet ta kuptojë misionin historik që i është servirur, të zgjedhin mes Saliut me të tijtë dhe të Ardhmes Demokratik të Shqipërisë. Vetëm kështu, nëse e bën, do ta shpëtojë edhe PD prej uzurpatorëve të vërtetë.