Namir Lapardhaja
I- Ata që deri dje kanë akuzuar Lulzim Bashën se është “peng” i atit politik, sot e kanë më të lehtë për të kupuar se sa të vëshitrë e paska pasur ai për t’u shkëputur prej tij në ujra të qeta.
II- Një pjesë e madhe e kundërshtarëve të Lulit brenda partisë, të cilët deri dje i kërkonin të shkëputej nga modeli Berisha, sot i sheh në krahë të Doktorit, duke akuzuar Bashën si tradhtar.
III- Të gjithë të pakënaqurit e Bashës (një pjesë, ndofta, me të drejtë), kanë gjetur sot strehë tek Berisha, duke harruar se Berisha, në gjithë këto vite, ka çimentuar pushtetin e Bashës brenda partisë.
IV- Lulin, jo vetëm që po e shajnë Doktori me shokë, por, nuk po e mbrojnë as të tijët. Me pak përjashtime. Shembull është grupi parlamentar, ku shumica e tyre heshtin nga ndroja e kthimit të Doktorit (këta janë më budallenjtë, e meritojnë frikën), kurse një pjesë tjetër nuk prononcohen, për shkak të kalkulimeve (këta janë të rafinuar, por janë të poshtër).
V- Narrativa e Doktorit, pas largimit të përkohshëm nga grupi parlamentar (deri në zgjidhjen e “problemit” të tij me Departamentin Amerikan të Shtetit), po tregon edhe një herë se sa rrënjë të thella ka hedhur enverizmi në këtë popull, duke mos u shkëputur edhe sot, pas 30 vjetësh, nga retorika me tradhtarë të jashtëm dhe të brendshëm, me agjentë dhe poliagjentë, me komplote dhe puçe (të mendosh që në 8 vite paskemi pasur një poliagjent në krye të partisë). Qoftë edhe për të zhbërë këtë filozofi, kjo që ka ndodhur do duhej të ishte gjëja e duhur.
VI- Në një kohë që konsumohet kjo përplasje (thuajse, civile) mes demokratëve, duket sikur koha ka ngecur në vend, në Shqipëri nuk ndodh asnjë gjë. Edhe pse e vërteta është krejtësisht ndryshe. Ky problem duhet të ishte thellësisht personal, PD-ja duhej çliruar nga ky ngërç, opozita dhe demokratët do duhej të bënin detyrën e tyre ndaj pushtetit. Të mos ishin duke u marrë me njëri-tjetrin.
VII- Këto ditë edhe pushteti ka ngelur pa fjalë. Alibinë se “Fajin e ka Saliu”, Basha (pa dëshirën e tij) ua shkriu në dorë, duke i lënë me gishtë në…gojë. Po tani që iku Saliu, kush do ta ketë fajin? Se një armik/gogol për të trembur njerëzit duhet! Po dhe me Bashën s’kanë pse merren, sepse u mjafton sot gjendja që ka PD-ja për të qeverisur dhe për t’u englendisur të qetë edhe për shumë kohë të tjera.
VIII- Doktori nuk kthehet, – më tha dikush sot, – por mjafton të heqë Bashën dhe të vendosë dikë tjetër. – “Po mirë, – i thashë, – po na doli edhe ai tjetri tradhtar i Doktorit, çfarë do bëjmë ne?!”