Nga Artur Ajazi/ Bashkë me hallin e madh që Partia Demokratike ka sot, një tjetër kërkesë ka ardhur nga (gjoja)berishistët, “duam zgjedhje të reja”. Në fakt pa e përcaktuar, duan zgjedhje të reja në Partinë Demokratike (sepse po kontestohen me forcë nga një klan e caktuar brënda saj), apo duan zgjedhje të reja të përgjithshme. Në rast se duan të parë, gjithçka është “ok”, dhe kanë të gjithë të drejtën morale dhe statutore ta kërkojnë, sepse ka patur shkelje, abuzime dhe vjedhje votash nga kutitë e votimit në degët e rretheve, deri në qendër.

Por në rast se berishistët e vonuar, kërkojnë nga Basha “zgjedhje të reja të përgjithshme”, këtu duhet të ndalemi paksa. Zgjedhjet e 25 Prillit 2021, rikonfirmuan edhe njëherë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për një mandat të ri qeverisës. Socialistët pa shumë sforco, morën shumicën e deputetëve, dhe do të kishin marrë edhe 4-5 mandate të tjera, në rast se (sipas kryeministrit Rama) “deputetët dhe sekretarët do të kishin punuar më fort për partinë se votat e tyre preferenciale”. Pra i bie që Partia Socialiste duhet të kishte marrë jo 74, por 78 deputetë, duke rritur numrin e tyre efektivisht në Parlamentin e ri.

Kritikat e zotit Rama nuk janë pa bazë, por pavarsisht kësaj fushata e fundit tregoi se Partia Socialiste ishte shumë më lart se Partia Demokratike dhe aleatët e saj, të cilët tanimë është faktuar se po përpiqen të ndahen prej saj pas 10 Shtatorit. Por afrimi i datës 10 dhe nisja e sesionit të ri parlamentar, veç surprizave me ish-kryeministrin Berisha dhe vendimin e PD-së, ka nxjerrë në debate politike brënda asaj partie tezën “e zgjedhjeve të reja”. Berisha dhe pasuesit e tij (që nuk janë të paktë) po i mëshojnë fort idesë se “Basha duhet të kërkojë zgjedhje të reja, të mos njohë rezultatin e masakrës zgjedhore të 25 Prillit, ndryshe….” etj, etj. Natyrisht, gjithçka bëhet të “turbullojnë ujërat” dhe largojnë vëmëndjen nga problemi i Doktorit, duke nxitur një fushatë anti-Basha brënda asaj partie, e cila sot është realitet. Ata që mbetën jashtë Këshillit Kombëtar apo dhe kryesisë (shumica e të cilëve pa ndonjë kontribut konkret në atë parti), çdo ditë po dalin në ekrane dhe portale dhe po ulurijnë “Basha të mos merret me Berishën, por të kërkojë zgjedhje të reja, ndryshe do të përballet me uraganin e demokratëve”.Duket se përfundimisht, fatin e asaj partie e ka paracaktuar Doktori, njeriu që për afro 20 e ca vjet e drejtoi me dorën e hekurt,dhe afroi apo largoi cilindo që ngrinte paksa zërin brënda saj. Por zgjedhjet e reja, nuk ka gjasa të jenë opsioni i Lulzimit, përsa kohë ai e ka të qartë, se përballë Edi Ramës dhe shumicës socialiste në popull, gjithmonë do të jetë i humbur.

Një parti e katandisur në shoqatë, me një mal me probleme, e destinuar të copëzohet pas 10 Shtatorit, kërkesën për “zgjedhje të reja”, natyrisht e shikon si shansin e fundit për të krijuar amulli brënda grupit parlamentar dhe vetë Partisë Demokratike. Por duhet thënë edhe diçka tjetër, që berishistët hipokritë e dinë mirë se, në rast se do të bëheshin nesër zgjedhjet e reja, Partia Demokratike nuk do të merrte as 25 mandate me katandisjen e sotme si forcë politike. Kaq ndoshta mjafton, që Sali Berisha ta mendojë mirë “kërkesën” që porosit të bëjnë ata që ndërsen në ekrane dhe portale. Por kjo pak i intereson ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit Berisha, i cili nuk merakoset më shumë për fatin e Partisë Demokratike sot, se sa për të ardhmen e tij, e cila më shumë se në “duart” e amerikanëve, qëndron në vendimin që do të marrë në orët e ardhshme, Lulzim Basha.