Në qytetin e beratit ka përfunduar rikonstruksioni i rrugës “Muzak Topia”, e njohur si rruga e Kalasë. Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, publikoi pamje nga përfundimi i rrugës, e cila do të ndryshojë krejtësisht cilësinë e kësaj oferte të rëndësishme turistike. “Ta gëzojmë. Presim mijëra vizitorë për të eksploruar bukurinë e jashtëzakonshme të Kalasë sonë madhështore”, shprehet Demo.
Ndërhyrjet e projektit konsistuan në zgjerimin e trupit të rrugës, ku u përfshinë trotuaret me shtrim me pllaka guri, ndriçimi i rrugës; punime për kanalizimet e ujërave të bardha, rikonstruksioni i sheshit të lapidarit me kalldrëm, krijimi i hapësirës së parkimit për automjetet/autobusët e turistëve, si dhe punime për gjelbërimin e të gjithë segmentit. Berati, qyteti unik në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë, është një nga destinacionet turistike kryesore në vend. Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë. Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta.
Në kalanë e lashtë mbi kodër të banuar edhe sot rrugët dhe rrugicat presin mijëra vizitorë në të gjitha stinët e vitit.