Përurohet shkolla 9-vjeçare në Mangull, Petrelë që mban emrin e të ndjerit Feti Fanaj, ish-Drejtorit i Përgjithshëm i Objekteve Publike në Bashkinë e Tiranës, i cili ndërroi jetë një vit më parë nga COVID-19. Kontributi i Fanaj në ndërtimin dhe restaurimin e shumë shkollave e objekteve publike në kryeqytet ishte shumë i vyer. Pas dëmtimit nga tërmeti i vitit 2019, kjo shkollë është rindërtuar nga e para me kushtet më të mira bashkëkohore.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës rion Veliaj, deputeti i zonës i PS Xhemal Qefalia, familjarë të Feti Fanajt, përfaqësues të autoriteteve vendore, mësues, prindër dhe nxënës të shumtë. Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Kushi u shpreh fillimisht se nuk ka gëzim dhe entuziazëm më të madh sesa të shikosh që në një zonë larg qendrës së Tiranës të kemi një shkollë me standarde të tilla bashkëkohore. “Jo vetëm shkollë e re, por shkollë më e madhe më e bukur, më e fortë e më e sigurt, me laboratore dhe terrene sportive. Me të gjitha komoditetet, një investim i qeverisë shqiptare ashtu siç e meritojnë nxënësit e mrekullueshëm të kësaj zone”– tha Kushi duke shprehur një falënderim të përzemërt për Bashkinë e Tiranës dhe Kryetarin e saj, që përpos shumë detyrave e përgjegjësive edhe në fusha të tjera si infrastruktura rrugore, mjedisi, uji i pijshëm etj., i kanë dhënë një vëmendje shumë të veçantë arsimit dhe infrastrukturës shkollore.
Së dyti, Ministrja Kushi falënderoi përzemërsisht të gjithë mësuesit e kësaj shkolle, që gjatë vitit të kaluar shkollor kanë punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm përgjatë pandemisë, dhe po me kaq vullnet kanë nisur edhe mësimin plotësues, për t’i paraprirë një viti të mbarë shkollor 2021-2022, teksa u ndal edhe tek risitë e tij: “Ky vit i ri shkollor do të ketë shumë risi: duke filluar që nga gjuha angleze që në klasën e parë për t’i përgatitur nxënësit që tani që kur të rriten t’i përballin të gjitha sfidat, dinamikat e tregut të punës dhe globalizimit. Po kështu tekstet falas, ku këtë vit do të përfitojnë edhe klasat e 8 dhe 9, duke plotësuar ciklin e arsimit bazë me tekste shkollore falas. Ndërkohë, ne po hartojmë dhe do ta zbatojmë menjëherë mbasi të fillojë viti i ri shkollor, një plan të ri për përfshirjen e artit dhe zejeve dhe më shumë klasave e aktiviteteve sportive në kurrikulat tona. Jam e sigurt që mësuesit që po trajnohen për këto programe, do t’i zbatojnë ato me përpikëri, për t’i ardhur në ndihmë nxënësve, për t’i bërë ata sa më të aftë, që nesër të jenë qytetarë të denjë të shoqërisë tonë. Pra, nesër, të jenë jo vetëm të aftë profesionalisht, por të jenë në radhë të parë qytetarë të denjë. Prandaj, unë ju falënderoj shumë që i edukoni fëmijët tanë me normat më të mira të demokracisë”.
“Dhe së fundmi, emrin që mban kjo shkollë është një arsye më shumë që të gjithë mësuesit dhe nxënësit të punojnë me më shumë përkushtim, me më shumë pasion për ta lartësuar akoma më shumë”, u shpreh Ministrja Kushi.