Që nga heqja e pothuajse të gjitha kufizimeve të koronas, Britania e Madhe ka regjistruar dhjetëra mijëra infektime të reja çdo ditë. Me vaksinimet përforcuese tani synohet të parandalohet rritja e rasteve të rënda.
Me vaksinime përforcuese për rreth 30 milionë njerëz, qeveria britanike dëshiron të vërë nën kontroll situatën e koronas në vend. Të gjithë njerëzit mbi moshën 50 vjeç, si dhe ata me sëmundje të mëparshme dhe infermierët, do të marrin një imunizim tjetër duke filluar nga java tjetër.
Siç tha Ministri i Shëndetësisë Sajid Javid, qeveria po ndjek një rekomandim të komitetit përkatës të ekspertëve, Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI). Veç kësaj u vendos edhe rekomandimi i diskutueshëm për vaksinimin e fëmijëve dhe adoleshentëve të moshës dymbëdhjetë deri në 15 vjeç në të ardhmen.
Vaksinat mARN rekomandohen veçanërisht
Kryetari i JCVI, Wei Shen Lim tha se të dhënat e vaksinimit tregojnë një “rënie të lehtë” të efikasitetit mbrojtës të vaksinave kundër koronas pas dozës së dytë të vaksinimit, nga “pak mbi 90 përqind në pak nën 90 përqind”. Rënia më e madhe, tha ai, shihet te njerëzit mbi moshën 50 vjeç. Kjo është arsyeja pse është e arsyeshme t’u ofrohet atyre dhe grupeve të tjera në rrezik një përforcim, tha ai.
Sipas kreut të Agjencisë Britanike të Produkteve të Mjekimit dhe Shëndetësisë (MHRA), June Raine, vaksinat e BioNTech/Pfizer, Moderna dhe AstraZenecas mund të përdoren për këtë qëllim. Sipas deklaratës, preparatet mARN të BioNTech/Pfizer-it dhe Modernas janë veçanërisht të rekomanduara. Nga vaksina e fundit duhet të bëhet vetëm një gjysmë doze.
Shifrat e infektimeve mbeten të larta
Britania e Madhe e kishte filluar fushatën e saj të vaksinimit kundër koronas në dhjetor. Rreth 81 përqind e të gjithë të rriturve tani janë vaksinuar dy herë. Sipas zyrtarëve shëndetësorë në Britaninë e Madhe, vaksinimet kanë parandaluar rreth 24 milionë raste të infektimit dhe 112.000 vdekje.
Sidoqoftë, nivelet e infektimit mbeten të larta, pavarësisht nga fushata e vaksinimit. Kjo mund të ketë ndodhur pjesërisht për faktin se qeveria hoqi pothuajse të gjitha kufizimet e koronas në korrik. Kryeministri Boris Johnson dhe kabineti i tij ruajnë të drejtën për të rivendosur masa mbrojtëse të tilla si një kërkesë për mbajtje maske ose një rekomandim për të punuar në shtëpi në vjeshtë dhe dimër. Atëherë mund të jenë të domosdoshme edhe çertifikatat e vaksinimit për hyrje në diskoteka ose stadiume.
“Thjesht nuk do të ishte e arsyeshme të përjashtohen masa të tilla kur ato mund të jenë vendimtare për mbajtjen e bizneseve të hapura,” tha Johnson. Ai tha se masat janë pjesë e një “Plani B” nëse pandemia nuk mund të mbahet nën kontroll me vaksinime përforcuese. Por planet e paparashikuara do të miratoheshin vetëm në rast të presionit “të papërballueshëm” mbi shërbimin shëndetësor NHS në Angli./DW/