PSG ka konfirmuar në një deklaratë në faqen zyrtare se Leo Messi ka pësuar një goditje në gjurin e tij të majtë të dielën e kaluar në sfidën kundër Olimpique Lyonit në “Parc des Princes”. Argjentinasi u zëvendësua në minutën e 77 -të dhe, megjithëse në fillim dukej si një vendim teknik, Pochettino, sikurse sqaroi në deklaratën pas ndeshjes, e mori vendimin për ta nxjerrë nga loja si masë paraprake, për të shmangur ndonjë dëmtim edhe më të rëndë.
Lëndimi i pësuar nga 6 herë fituesi i “Topit të Artë” në ndeshjen Venezuelë-Argjentinë, më 3 shtator, mund ta lërë atë praktikisht të përjashtuar për sfidën kundër Metz. PSG ka raportuar se Messi do t’u nënshtrohet testeve të reja brenda 48 orëve të ardhshme për të përcaktuar më saktë shkallën e dëmtimit.
Nga ana tjetër, në të njëjtin buletin mjekësor, që konfirmon dëmtimin e Messit, PSG nuk jep detaje të reja në lidhje me datën e debutimit të Sergio Ramos me ekipin parizien. Mbrojtësi spanjoll, vijon fazën e riaftësimit, që do të thotë se mungesa për takimin radhës ndaj Metz është e konfirmuar.