Punëtorët e kujdesit shëndetësor në Francë përballen me pezullim nga puna, nëse nuk janë të vaksinuar kundër koronavirusit. Vaksinat në këtë vend janë bërë të detyrueshme për punonjësit e kujdesit mjekësor, të shtëpive të pleqve dhe të emergjencës.
Data 15 shtator është afati i fundit për ta që të kenë së paku një dozë të vaksinës. Ata që nuk vaksinohen, përballen me pezullim të pagës ose nuk mund të punojnë. Firmat dhe punëdhënësit që dështojnë t’i verifikojnë statuset e vaksinimit të stafit të tyre, do të gjobiten fillimisht me 135 euro.
Nëse dështimi përsëritet, dënimi mund të rritet deri në 3,750 euro. Qeveria e Francës thotë se masat e miratuara nga Parlamenti janë të nevojshme për të mbrojtur pacientët dhe publikun nga rritjet e reja të numrit të të inefktuarve.
Më shumë se 113,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Francë. Autoritetet thonë se shumica e të shtruarve në spital javëve të fundit, janë pacientë të pavaksinuar. Rreth 300,000 punonjës të kujdesit shëndetësor – që përfaqësojnë 10 për qind të totalit në Francë – janë ende të pavaksinuar./REL