Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u bëri apel sot qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, duke shfrytëzuar muajin e hapur të vaksinimit.
“Me kartën e identitetit paraqituni në pikën më të afërt të vaksinimit në qytetin tuaj”, tha Manastirliu, ndërsa shtoi se nga ora 08:00 deri në orën 20:00 qendrat e vaksinimit janë të hapura.
Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria buzëqesh” janë kryer mbi 1,500,000 vaksinime antikovid në të gjithë vendin.
Tre ditë më parë mbërritën edhe 31,590 doza të vaksinës “Pfizer” në aeroportin “Nënë Tereza”, duke e çuar në mbi 1 milion e 950 mijë numrin e vaksinave antikovid të mbërritura në Shqipëri.
Edhe muaji shtator do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqendruar, duke u paraqitur me kartën e identitetit.
Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’u dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim.