Talebanët njoftuan krijimin e një qeverie të përkohshme në Afganistan. Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënës, i cili tha se qeveria do të udhëhiqet nga Mullah Mohammad Hassan Akhund, me bashkëthemeluesin e talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar si zëvendës i dytë. Zëdhënësi, Zabihullah Mujahid tha ndër të tjera se qytetarët afganas kanë pritur prej kohësh krijimin e një qeverie të re në vendin e tyre. Talebanët arritën që të merrnin nën kontroll pjesën më të madhe të vendit rreth tre javë më parë, ndërsa rrugën për krijimin e qeverisë e gjetën të hapur pas largimit nga vendi të ish-presidentit të Afganistanit, Ashraf Ghani.
Emrat që do përbëjnë qeverinë talebane janë: Mullah Yaqoob është emëruar Ministër i Mbrojtjes, kurse Mullah Abdul Salam Hanafi si zëvendës i dytë në këtë dikaster. Sarajuddin Haqqani është emëruar Ministër i Brendshëm. Ai është njëkohësisht kreu i Rrjetit Haqqani, një organizatë e shpallur terroriste nga SHBA. Amir Khan Muttaqi Ministër i Jashtëm në Detyrë, ndërsa Mullah Abdul Salam Hanafi si zëvendës i dytë në këtë ministri. I pyetur pse asnjë grua nuk u emërua në qeveri, Ahmadullah Wasiq tha për BBC se kabineti nuk është finalizuar ende.