Gjendja e oqeaneve të botës po përkeqësohet për shkak të shkrirjes së Arktikut, sipas një raporti të Shërbimit të Monitorimit të Mjedisit Detar ”Copernicus”. Në raportin vjetor, 150 shkencëtarë të porositur nga Komisioni Evropian demonstrojnë se sa shpejt po ndryshojnë oqeanet për shkak të ndërhyrjes njerëzore. Raporti rendit pasojat më të këqija. Sipas tij, ngrohja e oqeaneve të botës dhe shkrirja e akullit të Tokës po shkaktojnë rritjen e nivelit të detit me 2,5 milimetra në vit në Mesdhe dhe deri në 3,1 milimetra në botë.

Raporti përmend përmbytjen e Venecias në nëntor 2019, kur niveli i ujit u rrit në 1,89 metra. Ngrohja e oqeaneve po shkakton që jeta detare të migrojë në ujërat më të ftohta ose të zvogëlojë popullsinë e specieve. Sipas raportit, akulli i detit Arktik është në rënie të vazhdueshme. Midis 1979 dhe 2020, Arktiku humbi një zonë akulli rreth gjashtë herë më të madhe se Gjermania. Që nga viti 1979, akulli është zvogëluar me 12,89 për qind në dekadë. Nivelet më të ulëta janë regjistruar në dy vitet e fundit. Raporti paralajmëron se nëse akulli i detit Arktik vazhdon të shkrijë, ai mund të kontribuojë në ngrohjen rajonale, erozionin bregdetar të Arktikut dhe ndryshimet në modelet globale të motit.

Një përfundim tjetër nga raporti ishte se luhatjet ekstreme për shkak të valëve të nxehtësisë dhe të ftohtit në Detin e Veriut lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet në aktivitetet e peshkimit. “Ndryshimi i klimës, ndotja dhe eksploatimi i tepërt kanë shkaktuar dëm të paparë në oqeane”, theksoi Karina von Schuckmann, presidente e Raportit mbi Gjendjen e Oqeaneve. ”Oqeanet mbulojnë pjesën më të madhe të sipërfaqes së Tokës dhe rregullojnë klimën”, tha ajo duke shtuar se monitorimi i saktë dhe në kohë është shumë i rëndësishëm për të kuptuar më mirë oqeanet dhe për t’iu përgjigjur ndryshimit.