Gati 600 punonjës të linjës ajrore amerikane “United Airlines” janë pushuar nga puna, pasi nuk respektuan politikën e kompanisë për t’u vaksinuar kundër Covid-19. Kompania ajrore amerikane, ndër të tjera shpjegoi se 2 mijë nëpunës të tjerë – 3% e 67 mijë nëpunësve në total kanë dorëzuar një raport mjekësor apo arsyetim fetar për të mos u vaksinuar.

Sipas Agjencisë federale amerikane për aplikimin e ligjeve kundër diskriminimit në vendin e punës, punëdhënësit kanë të drejtë t’u kërkojnë nëpunësve të tyre që të jenë të vaksinuar, duke respektuar sigurisht përjashtimet për arsye mjekësore. “Ky ishte një vendim tepër i vështirë.”- thanë shefat e tij në një memorandum për punonjësit.

Kompania ajrore me bazë në Çikago përcaktoi kërkesat për vaksinimin e stafit në muajin Gusht. Ndërkohë, një zëdhënës i kompanisë tha se kompania ajrore planifikon të punësojë rreth 25,000 persona gjatë viteve të ardhshme dhe vaksinimi do të jetë një kusht punësimi për të gjithë punonjësit e rinj.