Gjatë intervistës së dhënë “Gazzetta dello Sport”, braziliani Ronaldo foli gjithashtu për ekipin e yjeve, të ndërtuar nga PSG këtë verë. Këto janë deklaratat e tij:

A ka ndonjë lojtar në të cilin e shihni veten? Na duket se ka diçka nga ju te Mbappé, a jeni dakord?

Po, ka karakteristika të ngjashme me të miat. Ai ka cilësi të çmendura, teknikë të jashtëzakonshme dhe di ta përdorë atë me shpejtësi të madhe. Shkon te mbrojtësit, kapërcen portierët…; janë aftësitë e vrapimit, siç thonë ata. Dhe pavarësisht se është shumë i ri, ai tashmë ka bërë një rrugë të gjatë. Më pëlqen Mbappé, unë bëj tifo për të.

Mbappe, Neymar dhe Messi, të gjithë luajnë së bashku te PSG. A do ta fitojnë dot Ligën e Kampionëve?

Është ende herët për të kuptuar se kush do ta fitojë Champions-in, pamja e duhur fillon të marrë formë në çerekfinale. PSG është në “pole position”, por futbolli i folur është një gjë dhe futbolli i luajtur një tjetër. Shumë faktorë ndikojnë në fushë. Unë kam qenë te Real Madridi për gati pesë sezone, në ekipin e galaktikëve (me Zidane, Beckham dhe Figo, ndër të tjerë) dhe kurrë nuk e fitova Ligën e Kampionëve. Triumfi në futboll nuk është kurrë matematikor, edhe nëse ke më të mirët në ekipin tënd. Kjo është gjithashtu e vlefshme për PSG.