“Aktualisht janë digjitalizuar rreth 400 shërbime nga 1207 të tilla që ofrohen për qytetarët dhe do të vazhdohet të punohet në këtë drejtim derisa të mundësohen të gjitha”.
Kështu deklaroi gjatë një interviste televizive ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi.
Duke u ndalur tek priroritetet e qeverisjes gjatë mandatit të tretë ajo theksoi se, “ne jemi angazhuar qe në këtë fillim të mandatit të punojmë fort për atë që quhet vula elektronike ose nënshkrimi elektronik. Nëpërmjet vulës elektronike do të mundësohet gjurmueshmëria në çdo hap të procesit që kalon secili prej shërbimeve”.
“Ne kemi bërë shumë përmirësime dhe përparime si qeveri shqiptare, duke futur digjitalizimin nëpër shërbime por akoma ka ende punë për të bërë”, tha Ekonomi.
Ajo shtoi se, “riinxhinierimi është një proces i vazhdueshëm, i pandërprerë për sa kohë që aktet normative të shtetit ndryshojnë, ligjet, vendimet e qeverisë ndryshojnë dhe këto duhen reflektuar në gjithë proceset e shërbimeve. Gjithashtu është shumë e rëndësishme që shërbimet të shkojnë tek të gjithë qytetarët”.
“Ne jemi angazhuar qe në këtë fillim të mandatit të punojmë fort për atë që quhet vula elektronike ose nënshkrimi elektronik. Kjo bën të mundur që çdo shërbim që kërkon qytetari nga qeveria të ndiqet, të ketë gjurmë në çdo proces. Pra në çdo proces ne të ndjekim gjurmën që lë shërbimi duke lëvizur në administratën shtetërore. Qytetari aplikon në portalin e-Albania apo aplikon në një portal fizikisht, puna bëhet nga të gjitha njësitë e administratës shtetërore të cilat duhet ti përgjigjen brenda kohës së normuar të administratës qytetarit”, theksoi ajo.
“Nga ana tjetër për të përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme këtë lloj shërbimi ne kemi nevojë vazhdimisht që të masim kënaqësinë e qytetarit nëpërmjet disa matjeve që kanë të bëjnë me “Mystery shopper”, që ndjek eksperiencën e një përdoruesi gjatë gjithë zinxhirit. Ne do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë , sepse për ne kryefjala mbetet qytetari dhe shërbimi ndaj tij”, përfundoi Ekonomi.