Ish-presidenti afgan Ashraf Ghani, i cili u arratis në Emiratet e Bashkuara Arabe, u kërkoi falje afganëve që u largua nga Kabuli në ditën kur talebanët erdhën në pushtet. Në të njëjtën kohë, ai mohoi raportet se kur u largua nga vendi, ai mori me vete disa dhjetëra miliona dollarë.
“Largimi nga Kabuli ishte vendimi më i vështirë i jetës sime, por besoj se ishte mënyra e vetme për të ulur armët dhe për të shpëtuar qytetin dhe gjashtë milionë banorët e tij” tha ai.
“Ende nuk ka ardhur koha për të vlerësuar ngjarjet që çuan në largimin tim, do t’i përmend në detaje në të ardhmen e afërt. Por më duhet të përballem me akuza të pabaza se, kur u largova nga Kabuli, mora dhjetëra miliona dollarë me vete. Këto akuza janë të rreme” tha ai.
“Korrupsioni është një plagë që ka pllakosur vendin tonë për dekada të tëra dhe lufta kundër tij ka qenë në zemër të përpjekjeve të mia si president. Unë trashëgova një “përbindësh” që nuk mund të mposhtet lehtë dhe shpejt” tha ai, duke shtuar se po kërkonte një kontroll të sponsorizuar nga OKB për të provuar pafajësinë e tij në vjedhjen e parave.
Disa ditë pasi Ghani u largua nga Kabuli, një zëdhënës i ambasadës ruse në Kabul tha se presidenti afgan kishte transportuar 169 milionë dollarë në katër makina që shkonin drejt aeroportit, por jo të gjitha i mori helikopteri dhe disa u tufa me dollarë u lanë në pistë.