Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, deklaroi se miliona njerëz shkojnë në shtrat të uritur çdo ditë, duke shtuar se tre miliardë njerëz nuk arrijnë të ushqehen shëndetshëm, raporton Anadolu Agency (AA). Duke folur në Samitin e Ushqimit të mbajtur në kuadër të Sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Guterres tërhoqi vëmendjen për faktin se miliona njerëz shkojnë në shtrat të uritur çdo ditë. “Tre miliardë njerëz nuk arrijnë të ushqehen shëndetshëm”, tha shefi i OKB-së.
Duke theksuar se rreth një e treta e ushqimit të prodhuar shkon në mbeturina, Guterres theksoi se njerëzimi po lufton gjithashtu kundër natyrës, duke dëmtuar prodhimet dhe zinxhirin ushqimor. “Një e treta e të gjitha emetimeve të gazrave serrë shkaktohen nga sistemet ushqimore. Sistemet ushqimore janë përgjegjëse për 80 për qind të humbjes së biodiversitetit”, u shpreh Guterres.
Ai po ashtu theksoi nevojën për sisteme ushqimore që mbrojnë planetin. “Është e mundur që ushqimi i popullsisë globale në rritje të realizohet duke mbrojtur mjedisin tonë. Nga fermat tek peshkimi, burimet natyrore duhet të menaxhohen në mënyrë të zgjuar dhe të qëndrueshme. Sistemet e ushqimit duhet të ndryshohen”, deklaroi Guterres./AA/