Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar se Serbia është vendi i parë që kishin pjesëmarrjen më të madhe të importeve në tregun e Kosovës. Ajo renditet e para nga shtetet me importin më të lartë me 6.4%, për 6- mujorin e parë, kurse Shqipëria, e dyta me 5.6% dhe Maqedonia e Veriut, 5.2%. Importet nga vendet e CEFTA-s në periudhën janar-qershor 2021, arritën në 390 milionë euro, ose 19% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 67%. Këtë gjë ekspertët e kanë cilësuar si një “ripushtim” nga ana e Serbisë përmes mallrave të importuar në Kosovë.
Në lidhje me këtë lajm ka reaguar edhe moderator Ardit Gjebrea i cili përmes një postimi shprehet se kjo gjë është ditur prej kohësh. Gjebrea shkruan se ky është një turp për pushtetarët të cilët mbushin xhepat e njerëzve me atdhetarizëm, ndërsa xhepat e tyre dhe të serbëve me para. “Kjo gjë dihet me kohë, por turp për ata që mbushin xhepat e shqiptarëve me atdhetarizëm, ndërsa xhepat e tyre dhe të atyre që vranë – me para. Si na quajti ambasadori amerikan? Dele. E deri sa delet nuk dinë ku të gjuajnë, shshsh”, shkruan Gjebrea me ironi.
Gjithashtu Gjebrea ka risjellë në kujtesë një shkrim të tij, kur ju bënte thirrje shqiptarëve që të mos blinin më mallra serbe. “Që në vitin 2014 e kam thënë!”, shkruan moderatori.