Ne kemi qenë në kontakte të afërta me partnerët tanë francezë në lidhje me vendimin e tyre për të tërhequr ambasadorin e tyre (në SHBA – shën. i përkth.) për konsultime dhe e kuptojmë pozicionin e tyre, ndërkohë që do të vazhdojmë të angazhohemi në ditët në vijim për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona, siç kemi bërë me të tjerët, deklaroi një zyrtar i lartë amerikan i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në në lidhje me krizën e nëndetëseve bërthamore.

“Franca është aleatja jonë më e vjetër dhe një nga partneret tona më të fuqishme dhe ndajmë një histori të gjatë në vlerat e përbashkëta demokratike”, theksoi ai.

Franca deklaroi dje se po tërhiqte ambasadorët e saj në SHBA dhe Australi për konsultime, në shenjë proteste ndaj një marrëveshjeje sigurie e cila përfshin edhe Britaninë e Madhe.

Ministri i Jashtëm francez tha se “vendimi i jashtëzakonshëm” u justifikua nga “graviteti i jashtëzakonshëm” i situatës.

Aleanca, e njohur si AUKUS, do t’i japë Australisë teknologji për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore.

Ky veprim zemëroi Francën pasi anuloi një marrëveshje shumë miliardë dollarëshe që kishte nënshkruar me Australinë.

Marrëveshja shihet gjerësisht si një përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e Pekinit në Detin e kontestuar të Kinës Jugore.