Togerja e Parë Çollaku ka ardhur në Shqipëri me një mision të veçantë dhe kësaj here udhëtimi i saj për çështje pune, ka qenë shumë emocionues dhe i veçantë.
Ajo ka ardhur në atdheun e saj për të bashkëpunuar me kolegët e Forcave të Armatosura Shqiptare për t’i shpjeguar se si funksionojnë sistemet Ajrore pa pilot PUMA.
SHBA i ka dhuruar Shqipërisë “PUMA-t” dhe një pjesë e anëtarëve të Gardës Kombëtare të New Jersey, mes tyre edhe Çollaku kanë kryer këtë javë fluturime simuluese. Çollaku ka lindur në Shqipëri dhe është transferuar në New Jersey kur ishte adoleshente
“Anëtarë të Gardës Kombëtare të New Jersey udhëtuan në Shqipëri këtë javë për të kryer fluturime simuluese me Sistemet Ajrore pa pilot PUMA të sapoblera. PUMA-t iu dhanë Forcave të Armatosura Shqiptare si pjesë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Batalionit të dytë të Këmbësorisë. Ushtarët e Gardës Kombëtare të NewJersey kanë kaluar javën duke ofruar mbështetje për kolegët ushtarakë shqiptarë me inventarin, mirëmbajtjen dhe trajnime mbi pajisjet e reja. Një nga ushtarakët e Gardës Kombëtare të New Jersey, Togerja e Parë Çollaku, ka lindur në Shqipëri dhe është transferuar në New Jersey kur ishte adoleshente. Ajo tani është Oficere e Ushtrisë dhe ky program partneriteti ndërmjet shteteve është veçanërisht domethënës për të, pasi kthehet në Shqipëri”, shkruan Ambasada Amerikane.