Nga Alba Malltezi/

Dihet. Shumë gazetarë as nuk janë lejuar dhe as nuk lejohen të ulen përballë Sali Berishës e t’i bëjnë disa pyetje që askush nuk ka guxuar e nuk guxon t’ja bëjë në sy, duke e lejuar të shitet si patriot dhe baba i kombit në një tur tragjiko-komik mes të thjeshtëve të këtij vendi.

Dhe nuk është e para herë që ne nuk guxojmë. Por kjo është një histori tjetër.

Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, përsëriti qartë qëllimet dhe synimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vazhduar jo vetëm thellimin dhe përshkallëzimin e situatës së Sali Berishës, por edhe me të ngjashëm të tjerë të tij në Shqipëri dhe rajon, duke nënvizuar shfrytëzimin e kompetencave që SHBA-të nuk i kishin më parë. Në një intervistë të freskët për Zërin e Amerikës, Escobar tha se “përcjellin shumë informacione” edhe për këtë çështje, ndërkohë që gazetarë shqiptarë vazhdojnë të bëjnë të habiturit se si mundi të ndodhë kjo me Sali Berishën tetë vite pa qenë në pushtet, duke mbyllur sytë në mënyrën më totale para fakteve.

Pra, vetëm disa në Shqipëri as nuk kanë pyetur edhe as nuk u shkon ndërmend të pyesin Sali Berishën se “Si ka mundësi që vajza e tij deklaroi në të njëjtën tavolinë nga ku flet shpesh vetë Berisha se kishte rreth 39 mijë dollarë në bankë kur erdhi në 2005-en dhe sot, në krah të bashkëshortit janë pronarë kullash të pafundme. Askush në tavolinën ku ulet Berisha nuk ka marrë mundimin ta pyesë se si e bëri mrekullinë djali i tij të marrë një kredi prej 1.8 milionë euro nga një bankë e Tiranës me kolateralë qesharakë, kur shqiptarët shtrydhen dhe për shumën më të vogël?

Askush akoma nuk guxon të bëjë pak aritmetikë të thjeshtë e të zbardhë lehtësisht përballë shqiptarëve që qoftë kulla në Gjirin e Lalëzit, qoftë apartamentet në lagjen luksoze në Tiranë që të gjithë e quajnë sot “lagja e Berishës”, qoftë zyra e bukur e tij me pajme të gjerë e nga lart mbi kryeqytetin, qoftë pushimet prej sheiku të djalit e dyqanet e të fejuarës së tij, vajzë prindërish të thjeshtë e modestë, nuk janë rezultat i inteligjencës, djersës apo biznesit të barabartë me të tjerë shqiptarë dhe kur askush nuk ia bën këto pyetje në sy, ia bëjnë amerikanët dhe kjo nuk është hera e parë që bëjnë hapa që duhet t’i bënim ne, bij e bija shqiptarësh.

Kur Tirana elitare mbyll gojën, kur vazhdon të bëjë sikur nuk sheh, sikur nuk di, sikur nuk dëgjon, atë që njohin dhe e dinë të gjithë, nga i madh e vogël, atëherë, rrofshin amerikanët! Si gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu dhe sot, po hedhin dritën e mjaftueshme. Na takon ne pastaj të mos bëjmë gabimet që bëmë kur krijuam, pas amerikanëve, Enver Hoxhën.