Policia Rrugore e Tiranës, monitorim të pandërprerë me radarë, dragera dhe patrulla të lëvizshme për të parandaluar aksidentet rrugore. Po ashtu vijon monitorimi dhe me dragera në të gjitha rrugët e Tiranës për të parandaluar ngjarjet rrugore që vijnë si pasojë e drejtimit të mjeteve nën efektin e alkoolit.

Gjatë dy netëve të fundit si rezultat i monitorimit në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën, nga Policia Rrugore e kryeqytetit u konstatuan shpejtësi nga 138 km/h deri në 141 km/h, ndërsa u konstatuan masa alkooli që varionin nga 0.09 mg/l deri në 0.41 mg/l, si dhe drejtues mjetesh në gjendje të dehur deri në masën 1.19 mg/l. Përgjatë orëve të mbrëmjes së dy netëve të fundit janë pezulluar 10 leje drejtimi, për shpejtësi që varionin nga 138 km/h deri në 141 km/h dhe 19 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit që varionin nga 0.31 mg/l deri në 0.48 mg/l. Janë vendosur 42 masa administrative me vlerë nga 2.000 deri në 4.000 lekë të rinj për shpejtësi tej normave të lejuara që varionte nga 115 km/h deri në 127 km/h.

Si dhe janë vendosur 39 masa administrative me vlerë nga 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit që varionte nga 0.09 mg/l deri në 0.29 mg/l. Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, mos abuzoni me shpejtësinë dhe alkoolin në timon, kujdesuni për jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës. Policia Rrugore me radarë e dragera është prezente kudo, jo për të shtuar numrin e gjobave por për të parandaluar kërcënimin e jetës në rrugë nga këta drejtues mjetësh që abuzojnë me rregullin dhe normat e sjelljes në rrugë.