Shqipëria është vendi i parë në rajon që filloi të zbatojë prej 1 shtatorit rregullat tranzitore të origjinës të Konventës Pan-Euro-Mesdhetare, si rregulla alternative me BE-në dhe vendet e EFTA-s.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se këto rregulla të reja do të lehtësojnë dhe zhvillojnë më tej tregtinë e ndërsjellë ndërmjet vendeve pjesëmarrëse në Konventë dhe me të cilat vendi ynë zbaton një marrëveshje të tregtisë së lire.

Në kuadër të kumulimit të plotë të origjinës, favor i madh i është bërë vendeve të CEFTA-s, pasi të gjitha vendet e Ballkanit quhen si një vend. Në lidhje me tekstilet, kjo është mjaft pozitive, sepse proceset që mund të kryhen në vende të ndryshme të CEFTA-s konsiderohen se janë kryer në një vend dhe më pas mund të eksportohen në vendin tjetër, pasi plotësohet rregulli i kumulimit të plotë bilateral.

Parashikohet rregulli i kthimit të detyrimeve doganore (me përjashtim të tekstileve) duke i bërë produktet e tyre me konkurruese. Kjo do të thotë se për materialet jo origjinuese të përdorura për prodhimin e produkteve origjinuese të cilat eksportohen pas regjimit doganor të përpunimit aktiv, nuk paguhet taksa doganore.

Rregulli i tolerancës ka ndryshime mjaft pozitive për operatorët, pasi rritet pragu i mundësisë së përdorimit të produkteve jo-origjinuese nga 10% në 15%.

Ka avantazhe të reja në certifikatat e origjinës, pasi hiqet certifikata EUR MED dhe deklarata e origjinës EUR MED duke lehtësuar procedurat si dhe vlefshmëria e provave të origjinës nga 4 muaj bëhet 10 muaj.

Vendet që e zbatojnë ndërmjet tyre marrëveshjen EFTA janë Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Moldavia.