Lulzim Basha tha para deputeteve të enjten mbrëma (të premten nuk u zu me gojë emri i tij) se kishte marrë vendimin e jetës për Sali Berishën. Basha tha se kishte vendosur ta përjashtoje Berishën nga grupi si i PD, (por jo nga Kuvendi) dhe se këtë vendim ai nuk do e kalonte për votim në forume, me qëllim shmangien e ndonjë përçarje brenda strukturave. Vetë Sali Berisha u ul në premten në Kuvend në fund të sallës dhe jo më në rreshtat e parë, i shoqëruar nga Tritan Shehu dhe Edi Paloka në një rresht tavoline nga fundi me Monika Kryemadhin dhe Petrit Vasilin.
Berisha tha gjithashtu për mediat se ai ishte deputet i PD-së pavarësisht vendimit të Bashës. Dhe në fakt në rruge proçeduriale dhe me rregullore Kuvendi ai e ka këtë të drejtë. Neni 15 i Rregullores së Kuvendit thotë se, brenda 5 ditëve nga data e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit ose e marrjes së mandatit gjatë legjislaturës, çdo deputet deklaron me shkrim se në cilin grup parlamentar bën pjesë ose deklarimin si deputet i pavarur ose jashtë grupeve parlamentare. Që do të thotë se ky vendim i përket vetëm Sali Berishës për tu deklaruar ose jo pjesë e PD-së dhe jo e partisë. Rregullorja parashikon gjithashtu se çdo deputet ka të drejtë të largohet nga grupi parlamentar duke paraqitur një deklaratë me shkrim kryesisë së grupit parlamentar nga i cili largohet. I vetmi ndryshim kësaj here është se Sali Berisha nuk do të mund të flasë në Kuvend si deputet i PD-së, më saktë nuk mund t’i jepet fjala si i tillë dhe as mund të shfrytëzojë hapësirën e fjalës.
Ai nuk do të ngjisë shkallet e selisë së PD-së në mbledhjet e grupit parlamentar demokrat e as të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare apo të jetë pjesë e çdo forumi apo mbledhje që mund të mbahet në PD. Vetë Berisha ka deklaruar të kundërtën, por e premtja tregoi se ai nuk mund ta bëjë këtë gjë. Berisha nuk mori pjesë në asnjë prej mbledhjeve që u zhvilluan në PD si para hapjes së sesionit të ri parlamentar ashtu edhe pas saj kur u mor vendimi për të kundërshtuar zgjedhjen e Lindita Nikollës në krye të Kuvendit. Berisha erdhi në oborrin e Kuvendit nga një tjetër derë që morën deputetët demokratë. Ai iku në të njëjtën mënyrë.(SI)