Nga Ylli Pata/ Si asnjëherë më parë Parlamenti nuk thirret në fillim jave, por pikërisht në trokitjen e weekend-it, Ilir Meta ka dekretuar hapjen e Parlamentit të premten më 10 shtator.
Siç parashikohet, seanca e parë e Kuvendit do të bojkotohet nga trupi diplomatik i Perëndimit, pikërisht si sinjal ndaj kundërshtimit të Sali Berishës për tu larguar, pasi e kërkoi SHBA, si dhe sulmit që ai dhe detashmenti pranë tij kanë ndërmarrë ndaj Amerikës.
I gjendur në një bllokadë të vërtetë ndërkombëtare, Lulzim Basha, ka tentuar të japë dy sinjale të vakëta, nga dy anëtarë të rinj të kryesisë si Jonila Godole e Fitim Zekthi, ku përmendet me mjaft droje çështja e Berishës, ku përmendet mundësia për një “ngrirje” të ish-kryeministrit nga grupi parlamentar i PD-së.
Një vendim hibrid, i cili, megjithatë ende nuk ka marrë një qëndrim sa më të qartë politik. Largimi-protestë i Mark Markut, duket se u tentua të përdorej nga Lulzim Basha, si një këmbanë për të kërcitur fort në veshët e “babait” të tij politik.
Por njerëzit e Berishës, e zhvlerësuan qëndrimin e Mark Markut, madje edhe duke e cilësuar si një lëvizje e padobishme.
E megjithatë, nga kupola e PD-së, nga Lulzim Basha, nuk pati asnjë qëndrim të qartë të tij, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ku pritej të merreshin vendime të rëndësishme, e ku u zgjodh ekipi drejtues.
Sinjali i vetëm që duket nuk u komentua shumë në opinion është se ¾ e nënkryetarëve të PD-së janë shokë klase e më pas shokë katedre me Argita Berishën.
Një “rastësi” politike, që duket se nuk është kaq pa lidhje, kur më pas vë re edhe lidhjet e numrit 2 të ri të partisë e kryetar i grupit parlamentar me detashmentin e familjes “Berisha”.
Madje pak kohë më parë mediat folën se zoti Rushaj, udhëtoi në Miami për një proces që djali i Sali Berishës, Shkëlzenit kishte për punën e Gërdecit dhe librit që kanë publikuar amerikanët. Media që foli për këtë çështje, theksonte se Rushaj ka zyrat e tij mjaft afër zyrës së ish-Kryeministrit Sali Berisha.
Pra në një farë mënyre, kemi të bëjmë me një veprim politik, ku nuk ka një ndarje të roleve në PD, e ku Sali Berisha sot është jashtë siç thonë mbështetësit mediatikë të ish-kryeministrit. Por ka një ndarje të dyanshme të detyrave, në një ambjent e lobim, ku nuk ka dalim ku fillon Basha e mbaron Sali Berisha. Filli që bashkon kupolën e PD-së me familjen e kryeministrit është i qartë dhe madje i fortë. Diskutimet e shitura në media që nuk u zgjodh dhëndrri i Berishës në kryesi të PD-së, si insistim i Lulzim Bashës, duket se ishin më shumë lajme të prodhuara në “kuzhinën” propagandistike të Lulzim Bashës. Me problemet gjyqësore që ka personi në fjalë, natyrisht që distancimi social nga selia blu i vlen më shumë.
Një politikan, i cili ka probleme me drejtësinë, apo me raste të rënda siç është ndëshkimi nga SHBA për Berishën, rruga më e mirë është qëndrimi i distancuar nga poltroni, pasi në të gjitha rastet ai është minë me sahat që do të shpërthejë nga çasti në çast.
Këtë aksiomë, si Lulzim Basha, ashtu edhe Sali Berisha e dijnë mirë, por me këtë “rezistencë” kanë tentuar të fitojnë kohë, për të parë se ç’ka në “valixhet diplomatike” apo edhe në sirtarin e Edi Ramës për ta.
Duket qartë se Lulzim Basha nuk ka si të ketë një plan B, ku së bashku me Berishën të rrëzojnë tryezën, e të nisin nga e para lojën e djegies së mandateve apo bojkotit të zgjedhjeve. Megjithëse, këtë herë kandidatët për deputetë zëvendësues janë zgjedhur me procedurë të rreptë, për të mos pasur tradhëtar, ai është një skenar që nuk çon natyrisht askund.
Pra Lulzim Basha nuk mund të mbijetojë gjatë me Sali Berishën si gjyle të lidhur në këmbën e tij në Parlament, ku edhe falë “rastësive” do të jetë kreu real i grupit parlamentar.
Si skenar të mundshëm, për të realizuar “ngrirjen” nga grupi i PD-së, siç po flitet, ka shumë gjasa që Basha të prodhojë një situatë për të kërkuar “pazar” për ta larguar ish-kryeministrin. Një Pazar për zgjedhjet lokale, largim ministri, duke nisur nga e para me sulmet për mafie e dosje e gjëra të këtij lloji, që priten të riaktivizohen menjëherë sa të nisë sezoni i ri i “paneleve të darkës”.
E ka shumë gjasa, që lëvizjet t’i nisë t’i bëjë pas mbërritjes së opinionit të Komisionit të Venecias për 30 qershorin, e më pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ku pas saj do të jetë sipas gjasave vendimi për shkarkimin e Ilir Metës.
Ndaj, duket se Basha do ta lërë Berishën, apo më mirë ky i fundit ka vendosur të jetë “peng” i një “revolucioni” që mendojnë ta trazojnë në vjeshtë.
Megjithatë, një revolucion me prezencën e Berishës, do të jetë padyshim i humbur, siç kanë qenë të gjithë përpjekjet që nga 2014-a.
Me një zë jo të lartë, Lulzim Basha, në fakt dha një sinjal politik gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, që mund të jetë realisht një mundësi e re për të. Ai propozoi një reformë të gjerë kushtetuese, si një mundësi për të reformuar shtetin, qeverisjen, e natyrisht kontrollin ndaj saj.
Edi Rama, ju përgjigj siç pritej, krejt krahëhapur çdo lloj nisme serioze të opozitës për të reformuar shtetin dhe për një pakt të ri politik. E këtë e kishte përmendur edhe një nga njerëzit e Bashës në mediat e opozitës . Por nëse kreu i PD-së, do të ndërmarrë këtë lëvizje të fortë, ka shumë gjasa që të jetë më i suksesshëm, madje të ketë mbështetjen e plotë të perëndimit. Por nëse bën këtë, i duhet të “vrasë babain”. S’ka rrugë tjetër…