Ditën e sotme nis legjislatura e X e Kuvendit të Shqipërisë, e cila do të drejtohet nga Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër në moshë në këtë legjislaturë të Kuvendit.
Përmes dy seancave, 1 paradite në orën 10 dhe tjetra pasdite në orën 17, pritet betimi i 140 ligjvënësve të rinj si dhe zgjedhja e kreut të ri të Kuvendit.
Menjëherë më pas 3 deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit.
Përbërja e Sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat. Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre.
Më pas një Komision i përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit, që përbëhet nga 9 deputetë shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin.