Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit Taulant Balla pas marrjes së detyrës së drejtuesit politik ka qetësuar situatën e krijuar në Partinë Socialiste të Fierit. Balla i shoqëruar nga kryebashkiaku Armando Subashi dhe deputeti Petro Koçi përgjatë tre ditëve ka zhvilluar takime në njësitë administrative Cakran, Frakull, Levan, Portëz, Libofshë, Mbrostar, Qendër, Dërmenas, Topojë dhe në katër rajonet e qytetit Fier, ku Partia Socialiste ka marrë rezultate pozitive elektorale gjithmonë.

Sipas Ballës, Partia Socialiste ka në Fier një strukturë organizative tepër të mirë, por që do të vazhdojë të përmirësohet në të gjitha nivelet, duke e paraprirë nga një analizë e imtësishme e rezultatit të zgjedhjeve në çdo qendër votimi. “Zhvilluam gjatë tre ditëve, takime në njësitë administrative Cakran, Frakull, Levan, Portëz, Libofshë, Mbrostar, Qendër, Dërmenas, Topojë dhe në katër rajonet e qytetit Fier, ku Partia Socialiste ka marrë rezultate pozitive elektorale gjithmonë. Ne rikonfirmuam 74 mandate më 25 Prill, nga të cilat 9 në qarkun Fier, edhe pse populli shqiptar na besoi të paktën 78 mandate, nëse nuk do të ishte numri i papritur i fletëve të pavlefshme të atyre që kishin në zemër PS 12, por gabuan me shenjën e preferencës së kandidatëve.Partia Socialiste ka në Fier një strukturë organizative tepër të mirë, por që do të vazhdojë të përmirësohet në të gjitha nivelet, duke e paraprirë nga një analizë e imtësishme e rezultatit të zgjedhjeve në çdo QV”, tha ai.

Po ashtu, Balla shtoi “besoj se të gjithë kemi mësuar nga gabimet e së shkuarës, kur lënia në harresë e strukturës së partisë, nuk na ka dhënë rezultatin e duhur në përballjen elektorale të radhës. Ne sot jemi në kohën e duhur për të realizuar një analizë të thellë dhe objektive të rezultatit në çdo qendër votimi, pra në çdo organizatë socialiste. Nga kjo analizë dhe ripërtëritje e fuqisë sonë organizative ne duhet të bëhemi tërësisht gati për fitoren e zgjedhjeve vendore të vitit 2023, dhe ato parlamentare në vitin 2025, për mandatin tonë të katërt qeverisës”.